Ndërsa tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme janë rritur pas sulmeve të fundit të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit, shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Islamike të Iranit po përballet me sfida të reja. Edhe pse vëllimi i këmbimit është relativisht i vogël në krahasim me partnerët evropianë, vendi ka një varësi të ndjeshme për produkte të caktuara ushqimore dhe kimike, përcjell INA.
Statistikat e importit dhe eksportit
Sipas të dhënave nga baza “Makstat” e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), eksporti maqedonas drejt Iranit ka shënuar rënie të vazhdueshme, ndërsa importi mbetet në nivele më të larta, ndonëse edhe ai po vjen në rënie:
Eksporti drejt Iranit (2025): Kap shifrën prej vetëm 193,325 eurove, një rënie drastike krahasuar me vitin 2022 kur ishte mbi 1.1 milion euro.
Importi nga Irani (2025): Arriti vlerën prej 8,249,367 eurove, pothuajse sa gjysma e vitit 2024 (15 milionë euro) dhe shumë më poshtë se viti 2021, kur importi ishte mbi 28 milionë euro.
Maqedonia e Veriut importon kryesisht produkte ushqimore, produkte kimike dhe lëndë djegëse minerale. Tregtarët vendas të ushqimit të shëndetshëm konfirmojnë se tregu varet nga hurmat e Iranit, thjerrëzat, rrushit të tharë dhe fistikët. Nga ana tjetër, kompanitë e Maqedonisë së Veriut eksportojnë drejt Iranit kryesisht makineri, pajisje transporti dhe sasi të vogla të duhanit e lëndëve të para. Qeveria iraniane ka shpallur tashmë një ndalesë për eksportin e të gjitha produkteve ushqimore dhe bujqësore, gjë që rrit frikën për një valë të re shtrenjtimesh në tregun vendas.(INA)










