Trendy

BDI kërkon dorëheqje të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Konstadinovski për injorimin e gjuhës shqipe

Para 2 orë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme.

Nga BDI vlerësojnë se deklaratat e fundit të Kostadinovskit lidhur me projektin “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, përbëjnë diskriminim të hapur dhe shkelje të frymës së Kushtetutës.

Sipas kësaj partie, me qëndrimet e tij dhe me vendimet e marra gjatë dy viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një mjet politik që, sipas tyre, synon të minojë arritjet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

“Deklaratat për ‘Safe City’, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti theksojnë gjithashtu se gjatë vendimmarrjeve në Gjykatën Kushtetuese, dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk janë mbivotuar, duke shtuar se kjo rikthen praktika që, sipas tyre, kujtojnë periudhën e viteve të nëntëdhjeta.

BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që, sipas tyre, ka mbështetur qëndrime diskriminuese gjatë dy viteve të fundit. Në të kundërtën, partia paralajmëron se ai do të mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Në reagim, BDI ka akuzuar edhe koalicionin VLEN, duke e cilësuar si bashkëpërgjegjës për veprimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duke thënë se për këtë çështje nuk ka reaguar.

Trending