Trendy

Draftraporti i Parlamentit Evropian: Serbia duhet ta ndjek penalisht Radoiçiqin për sulmin në Banjskë

Para 2 orë

Progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ndalur vitet e fundit, sipas një draft-raporti të Parlamentit Evropian mbi Serbinë, duke vënë në dukje se shqetësimet kryesore lidhen me “gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit”.

Draft-raporti i Parlamentit Evropian për Serbinë vlerëson se progresi i vendit drejt anëtarësimit në BE praktikisht ka ngecur vitet e fundit, me shqetësime në rritje në lidhje me gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe liritë themelore.

Dokumenti thotë se “në vitet e fundit, progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE ka ngecur”, ndërsa shqetësimet kryesore “përqendrohen kryesisht në gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit”.

“Në vitet e fundit, progresi i Serbisë drejt pranimit në BE ka ngecur, me shqetësime të përqendruara kryesisht në gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Ka një numër çështjesh urgjente që duhen adresuar, në veçanti polarizimi dhe tensionet në rritje politike, nevoja për reforma strukturore në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe çështje të tjera që lidhen me BE-në, si dhe nevoja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së”, thuhet në draft-raportin e nënshkruar nga raportuesi i Parlamentit të BE-së për Serbinë, Tonino Picula.

Dokumenti gjithashtu thotë se Serbia nuk ka bërë përparim të konsiderueshëm në përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në shumë kapituj negociues.

“Na vjen keq për faktin që Serbia ka bërë përparim të kufizuar ose aspak në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE në shumë kapituj të tjerë negociues. Negociatat e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian duhet të përparojnë vetëm në bazë të përparimit të matshëm dhe të qëndrueshëm”, thuhet në dokument, duke specifikuar se i referohet fushave të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së medias dhe reformës së administratës publike.

Raporti shpreh gjithashtu shqetësim për situatën politike në vend në kontekstin e protestave masive që kanë ndodhur në të gjithë vendin që nga nëntori i vitit 2024.

“Këto protesta pasqyrojnë pakënaqësi të thellë midis qytetarëve dhe studentëve, të cilët kërkojnë llogaridhënie dhe reforma që lidhen me sundimin e ligjit.

Parlamenti Evropian vlerëson gjithashtu se “mënyra më e mirë për të zgjidhur krizën politike në Serbi do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, me zbatimin e plotë të rekomandimeve të ODIHR-it dhe një proces zgjedhor transparent.

Dokumenti shpreh gjithashtu shqetësim për gjendjen e lirive themelore gjatë protestave dhe mënyrën se si autoritetet reaguan.

Parlamenti Evropian thekson se mbështet të drejtën e qytetarëve, përfshirë studentët, për të protestuar në mënyrë paqësore për të kërkuar llogaridhënie dhe reforma demokratike. Në të njëjtën kohë, ai deklaron se “demonstruesit paqësorë, studentët, aktivistët dhe gazetarët i janë nënshtruar një game të gjerë masash represive”, duke përfshirë “përdorimin e tepërt të forcës dhe dhunës policore ”, “arrestimet dhe ndalimet arbitrare” dhe forma të tjera të frikësimit.

Prandaj, Parlamenti Evropian bën thirrje për “hetime urgjente, të paanshme dhe transparente për të gjitha akuzat për përdorim të panevojshëm dhe joproporcional të forcës”

Një pjesë veçanërisht kritike e raportit ka të bëjë me ndryshimet në ligjet e gjyqësorit të miratuara nga Asambleja Kombëtare më 28 janar 2026. Parlamenti Evropian shpreh “shqetësime serioze në lidhje me ndryshimet në ligjet kryesore të gjyqësorit”.

“Kjo përfaqëson një hap serioz prapa në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, pasi dobëson më tej pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë; u bën thirrje autoriteteve serbe të pezullojnë zbatimin e ndryshimeve dhe kërkon rishikimin e tyre urgjent”, thuhet në draft-raportin për Serbinë.

Raporti gjithashtu thotë se dokumenti mori në konsideratë gjetjet e misionit të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian që vizitoi Serbinë nga 22 deri më 24 janar 2026. Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian dënon “sjelljen e papranueshme, fyerjet dhe retorikën negative të drejtuar ndaj Anëtarëve të Parlamentit Evropian”, përfshirë anëtarët e atij delegacioni gjatë vizitës së tyre në Serbi.

Dokumenti thekson gjithashtu se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet një element kyç i perspektivës evropiane të Serbisë.

Raporti gjithashtu kujton incidentet e sigurisë në veri të Kosovës.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të sjellë shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjska 2023, dhe na vjen keq për faktin që Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht autorët, veçanërisht Milan Radoiçiq, nënkryetarin e Listës Serbe”, thuhet në dokument.

Trending