Trendy

Rritet çmimi vitrave për këtë vit

Para 17 minuta

Minimali u rrit për 70 përqind, mesatari 100 përqind e maksimali për 50 përqind.
Kësi ndryshime kanë pësuar vlerat e pagesës së vitrave në Kosovë në këtë Ramazan. Krahasuar me vitin e kaluar, kur ishin të ndarë në 3, 5 dhe 10 euro, tani janë përcaktuar në 5, 10 dhe 15 euro.

Kështu vendosi Bashkësia Islame e Kosovës, si institucion që rregullon normat dhe vlerën e këtyre obligimeve fetare të çdo anëtari të saj.

Profesori në Fakultetin e Fesë Islame në Prishtinë, Bahri Hoxha, i autorizuar nga BIK për t’i dhënë sqarime KosovaPressit për vendimin, thotë se kjo lidhet me standardin e jetesës.

“Standardi, jo vetëm çmimet, por standardi është i rritur dhe pastaj njerëzit në bazë të standardit të tyre, gjithherë institucioni ka dhënë më shumë sesa një standard, varësisht prej standardit që e bën agjëruesi. Nëse në rast se agjëruesi ka një standard prej të thjeshtë, e merr atë çmimin më të ultë, ndërsa standarde të tjera janë për ata që gjatë Ramazanit kanë pasur një standard tjetër të ushqimit e kështu me radhë”, ka thënë Hoxha.

Sadakatul Fitri është një obligim për besimtarët myslimanë që jepet në përfundim të muajit të Ramazanit, me qëllim që të ndihmohen familjet në nevojë dhe të mundësohet që të gjithë ta presin festën e Fitër Bajramit me dinjitet.

Bashkësia Islame, njëkohësisht e ka dyfishuar edhe vlerën e parave që duhet pasur një besimtar për ta paguar zeqatin prej 2.5 përqind . Nga 5.875 euro sa ishte vjet, sivjet kjo shumë është 12.000 euro.

 

Trending