Trendy

Shkarkohet Sulejman Rushiti nga posti i drejtorit “Teatri i Gostivarit”

Para 3 orë

Sindikata e Kulturës ka reaguar ndaj shkarkimit të parakohshëm të drejtorit të Institucionit Kombëtar “Teatri i Gostivarit”, Sulejman Rushiti, duke pyetur nëse bëhet fjalë për revanshizëm nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, transmeton Portalb.mk.

Në vendimin që publikoi Sindikata thuhet se Rushiti ishte zgjedhur drejtor më 16 dhjetor 2022, ndërsa tani është shkarkuar para përfundimit të mandatit.

Nga aty thonë se shkarkimi vjen pasi në këtë institucion janë marrë vendime gjyqësore të formës së prerë në favor të të punësuarve në kulturë.

“Tani shtrohet me të drejtë pyetja: A do të sanksionohet secili që vepron ndryshe nga dëshirat e ministrit? Vendimet gjyqësore të formës së prerë duhet të respektohen. Pagat e të punësuarve në ‘Teatrin e Gostivarit’ duhet të paguhen sipas vendimit të gjykatës, pavarësisht nëse kjo i pëlqen ministrit apo jo”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, ministri më herët ka shkarkuar edhe këshilla drejtues kur kanë marrë vendime që nuk përputheshin me qëndrimet e tij, ndërsa më pas anëtarët e rinj kanë miratuar vendime sipas dëshirës së ministrit.

“Tani ka filluar të shkarkojë edhe drejtorë, sikur ata të jenë fajtorë që gjykata ka marrë një vendim të formës së prerë dhe që mendojnë ndryshe nga ai. Kur e ke pushtetin mund të bësh gjithçka, por një gjë nuk mund ta bësh – të fshehësh të vërtetën”, thuhet në reagim.

Trending