Pas dorëheqjes së anëtarëve të degës në Deçan, edhe disa anëtarë të degës së Pejës të Listës Guxo dhanë dorëheqje të premten.
Nezir Jahmurtaj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi arsyetuan largimin duke thënë se partia nuk po i ofron mbështetje të mjaftueshme presidentes Vjosa Osmani.
Ata kanë shprehur se vendimi për dorëheqje vjen edhe si rezultat i mosdorëheqjes së dy bashkëkryetarëve të partisë, Faton Peci e Donika Gërvalla, të cilët i kanë quajtur “uzurpues” të Guxo.
“Është tepër shqetësues qëndrimi i znj. Donika Gërvalla, e cila ka lobuar kundër rizgjedhjes së Presidentes Osmani. Për ne është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mungojë përkrahja për një Presidente që ka dëshmuar integritet dhe përkushtim ndaj shtetit, si dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme”, thuhet në njoftimin e Blakajt duke shtuar se tash e tutje mbështesin Osmanin në çdo vendim të mëtejmë.”
Të enjten, kryetarja e degës në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi se ka dhënë dorëheqje bashkë me kryesinë e degës nga të gjitha strukturat e partisë. Edhe arsyetimi i tyre ka qenë për shkak të qëndrimeve për presidenten Osmani.










