Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshime në Ligji për Automjete në Maqedoninë e Veriut, me të cilat hapet një afat i ri për legalizimin dhe regjistrimin e traktorëve dhe një pjese të mekanizimit bujqësor që deri tani nuk kanë qenë të regjistruara ose nuk kanë pasur dokumentacion të plotë, përcjell tetova1
Ndryshimet janë propozuar nga një grup deputetësh pas kërkesave të vazhdueshme të fermerëve në gjithë vendin, me qëllim që të zgjidhet problemi shumëvjeçar i regjistrimit të mekanizimit që përdoret në zonat rurale.
Deputeti nga Manastiri, Pece Milevski, bëri të ditur se me këto ndryshime qytetarëve – veçanërisht bujqve – u jepet mundësi e re për të rregulluar statusin ligjor të mjeteve dhe për t’i përdorur ato në mënyrë të ligjshme në komunikacion.
Çfarë mjetesh mund të legalizohen
Me ndryshimet ligjore do të mund të legalizohen dhe regjistrohen:
• traktorë
• rimorkio për traktorë
• motokultivatorë
• makina mobile bujqësore
• rimorkio për banim
• mjete nga kategoritë O1, O2 dhe L.
Rregulla më të qarta dhe kontroll më i rreptë
Përveç afatit të ri për regjistrim, ndryshimet parashohin edhe kontroll më të rreptë të gjendjes teknike të mjeteve, rregulla më të qarta për miratimin teknik dhe transparencë më të madhe në procedura. Qëllimi është rritja e sigurisë në komunikacion dhe harmonizimi gradual me standardet evropiane.
Një nga mesazhet kryesore është se traktorët dhe mekanizimi bujqësor i paregjistruar nuk do të konfiskohen, ndërsa pronarët do të kenë mundësi të nisin procedurën e legalizimit duke dorëzuar të dhënat identifikuese të mjetit, vitin e prodhimit dhe një deklaratë të noterizuar për pronësinë.
Ky vendim pritet t’u ndihmojë mijëra bujqve në vend që më në fund të rregullojnë pronësinë dhe regjistrimin e mekanizimit të tyre dhe ta përdorin atë pa pengesa në punën e përditshme. /tetova1.mk










