Ekzistojnë ngjarje në historinë e një shteti që nuk maten me kohë, por me dhimbjen që lënë pas. Dita e zjarrit në Koçan ishte dita më e rëndë në jetën time, tha kryeministri Hristijan Mickoski në Konferencën Ndërkombëtare për aspektet institucionale, klinike dhe zgjidhjet, e organizuar një vit pas zjarrit. Në fillim, me një minutë heshtje u nderuan viktimat ku emrat e tyre i lexoi Mickoski.
“Tragjedia në Koçan la një plagë të thellë në shoqërinë tonë. Në një natë u ndërprenë jetë, ndryshuan fatet dhe u hap një dhimbje që do të mbetet gjatë në kujtimin e shtetit tonë. Në ato orë e gjithë Maqedonia u ndal. Lajmi u përhap me një shpejtësi që sillte mosbesim, frikë dhe trishtim”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër .
Ministri i Shëndetësisë, Azír Aliu, u ndal te përkushtimi i punonjësve shëndetësorë në intervenimin e parë për shpëtimin e jetëve, ndihmën e të lënduarve dhe më pas trajtimet psikologjike. Në konferencë morën pjesë edhe mjekët nga vendet e huaja që pa kursim u angazhuan në shpëtimin e të lënduarve, për të cilët Aliu shprehu falënderim të madh.
“Profesionalizmi juaj, solidariteti dhe humaniteti do të mbeten thellësisht të kujtuara. Ju falënderoj sinqerisht shumë për këtë. Në momentet kur çdo minutë kishte rëndësi për shpresë, ju ishit aleatët e vërtetë dhe të përkushtuar në luftën për çdo jetë njerëzore”, tha Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.
Faleminderim për ndihmën ndërkombëtare shprehu edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili tha se shpresë të madhe mori nga kolegët e tij nga shtetet e tjera, të cilët menjëherë ofruan ndihmë, duke bërë që gjithsej 115 persona të transportoheshin dhe të pranoheshin në spitalet e shumë vendeve, ndërsa në vendin tonë mbërritën mjekë nga jashtë.
“Në ato ditë të vështira u tregua se fuqia e vërtetë e diplomacisë është solidariteti ndërkombëtar. Falë komunikimit të shpejtë me partnerët tanë, aktivizimit të mekanizmit evropian për mbrojtje civile dhe gatishmërisë së shumë shteteve për të ndihmuar, pacientët tanë morën kujdes mjekësor në spitalet në të gjithë Evropën”, theksoi Timço Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme.
Më 16 mars shënohet një vit nga zjarri në diskotekën e Koçanit, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan.










