Ministria e Brendshme nuk ka sistem aktiv të ndëshkimit të të gjithë atyre që përdorin makina me targa të huaja në vend. Pavarësisht hyrjes në fuqi më 1 shkurt të sistemit Safe City, deri tani, nuk ka të dhëna se sa janë ndaluar apo ndëshkuar nga kjo kategori qytetarësh, që përdorin kryesisht targa nga shtetet e huaja, bullgare, serbe, shqiptare, kosovare etj.
Alsat kërkoi sqarime rreth kësaj çështjeje nga zv/ministri i Brendshëm Astrit Iseni, i cili theksoi për ne se:“Në kuadër të zbatimit të projektit “Qytet i Sigurt”, shkeljet e kryera me automjete me targa të huaja, të evidentuara përmes sistemit automatik të videombikëqyrjes dhe zbulimit të kundërvajtjeve në trafik, do të procesohen në pikat kufitare. Në çdo hyrje ose dalje të automjetit nga shteti, personi do të njoftohet për shkeljen e kryer dhe do të ketë detyrimin të paguajë gjobën e shqiptuar në përputhje me ligjin”, Astrit Iseni, Zv Ministër i Punëve të Brendshme.
*Shkeljet me targa të huaja të evidentuara do të procesohen në pikat kufitare
*Në çdo hyrje-dalje personi njoftohet për shkeljen dhe detyrohet të paguajë gjobën
Por, kjo që thotë ministri është vetëm fryma e ligjit, ndërkohë që në realitet, asnjë masë nuk është ekzekutuar ndaj makinave me targa të huaja.
Alsat dërgoi sërish pyetje shtesë dhe të precizuara, por kësaj here zv/ministri na delegoi te sektori për marrëdhënie me publikun.
– A është funksional aktualisht sistemi për makinat me targat e huaja?
-Sa makina me targa të huaja janë ndaluar në kufi?
-Sa prej tyre janë dënuar përmes të njëjtit sistem “Safe City”
Prej ditësh zv.ministri Iseni i shmanget përgjigjes edhe për mesazhet për shkeljet në trafik, të cilat vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Në përgjigjen e tij ai i referohet vetëm gjuhës së procesverbalit por jo sms-ve.










