Trendy

Trump: Ngushtica e Hormuzit së shpejti do të hapet, në një mënyrë apo tjetrën

Para 3 orë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-të do sigurojnë hapjen e Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht situatës në rajon, raporton A2CNN.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Në një mënyrë apo në një tjetër, shumë shpejt do ta bëjmë Ngushticën e Hormuzit të HAPUR, TË SIGURT dhe TË LIRË.”

Ai shtoi se shpreson që vende si Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar të dërgojnë anije luftarake për të mbrojtur korridorin detar, në mënyrë që ai të mos përbëjë më kërcënim nga Irani.

Sipas Trump, shumë shtete do të bashkohen për të mbajtur këtë rrugë të rëndësishme detare “të hapur dhe të sigurt”. Ndërkohë, ai paralajmëroi se SHBA do të vazhdojë sulmet ndaj objektivave iraniane në bregdet dhe do të shkatërrojë anije apo mjete detare iraniane nëse paraqesin kërcënim.

Trump gjithashtu pretendoi se SHBA ka “shkatërruar 100% të kapaciteteve ushtarake të Iranit”, por pranoi se Irani ende mund të përdorë dronë, mina detare dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Iranit në Gjenevë, Ali Bahrani, i hodhi poshtë deklaratat e Trump, duke thënë se pretendimet për shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake të Teheranit janë “gënjeshtra të fabrikuara”.

Trending