Trendy

Sektori i turizmit paralajmëron rritje të shërbimeve hotelierike dhe gastronomike..

Para 1 orë

Nëse vazhdon rritja drastike e çmimeve të naftës, nga sektori i turizmit thonë se para sezonit të ri do të detyrohen të rrisin çmimet e aranzhmaneve, si dhe të shërbimeve gastronomike, të cilat edhe ashtu janë të larta. Po llogariten rritje rreth 20–30 %, por thonë se gjithçka do të varet nga zhvillimi i ngjarjeve. Ata janë të vetëdijshëm se kjo më pas do të rezultojë me inflacion dhe shumë probleme të tjera.

“Çmimet e naftës sigurisht që do të ndikojnë edhe në lëndët e para dhe materialet që hotelet dhe restorantet i përdorin. Nuk do të mund të flas tani për përqindje dhe shifra, sepse gjithçka varet nga vetë oferta dhe kërkesa në treg. Me numrin e zvogëluar të rezervimeve, me anulime nga disa kolegë, sigurisht që edhe ne në këtë periudhë nuk jemi në pozicion për ndonjë rritje të madhe, edhe pse ato janë të arsyeshme dhe të nevojshme”, Ana Jançeva – menaxhere hoteli në Strugë.

Por në vend që t’i rrisin çmimet, gastronomët në një situatë të tillë duhet të ofrojnë çmime më të ulëta, për të tërhequr sa më shumë mysafirë dhe për të qenë më konkurrues me rajonin, vlerëson Lupço Juzmeski, ciceron turistik.

“Ohri nuk ka çfarë tjetër të bëjë veçse të ulë pak çmimet. Të gjithë duam të fitojmë nga puna që e bëjmë, por punën dhe të ardhurat mund t’i ndajmë në më shumë herë, të punojmë për më pak para dhe atëherë me çmime më të ulëta, Ohri të jetë përsëri i mbushur dhe ne përsëri të jemi të kënaqur”, tha Lupço Juzmeski – punonjës turistik.

Nga sektori i turizmit vlerësojnë se situata aktuale do të jetë arsye që turistët këtë verë të zgjedhin destinacione më afër, të cilat mund t’i arrijnë me rrugë tokësore. Prandaj, thonë se Ohri dhe Struga duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tërhequr më shumë mysafirë nga Ballkani, por edhe nga destinacione të tjera evropiane, që janë në kërkim të vendeve më të qeta për pushime./Alsat.mk.

Trending