Trendy

Incidenti në Sellcë, reagojn nga Këshilli Organizativ i Manifestimit Tradicional “Pranvera e Dinjitetit”

Para 2 orë

Këshilli Organizativ i Manifestimit
Tradicional “Pranvera e Dinjitetit”

Deri te: opinoni mbarëkombëtar

KUMTESË

Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Kombit, të nderuar invalidë të luftërave çlirimtare, veteranë të ushtrive çlirimtare, të nderuar bashkëkombas,

14 marsi është manifestim tradicional që mbahet tash e 25 vite me emrin “Pranvera e Dinjitetit” në Sellcë të Tetovës, i cili shënon fillimin e luftës dhe daljen në skenë të Brigadës 112 “Mujdin Aliu” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në rajonin e Tetovës. Në këtë event përkujtohen ngjarjet dhe të rënët e luftës së vitit 2001. Ndërsa data mbarëkombëtare, në të gjithë hapësirën shqiptare, kur nderohen Dëshmorët e Kombit, është 5 maji.

Rasti i pakëndshëm që ndodhi në manifestimin e këtij viti, me shprehjen e pakënaqësisë në formë të tillë ndaj Këshillit Organizativ, është i pabazë, sepse për shkak të një lëshimi teknik të paqëllimshëm të SHVL-UÇK, nuk mund të pranojmë që ai të bëhet shkak i ndonjë revolte, e cila u manifestua me gjeste dhe fjalë që nuk i nderojnë as pjesëmarrësit dhe aq më pak figurat e ndritura të kombit – Dëshmorët.

Si Këshill Organizativ, duam të theksojmë se nuk favorizojmë dhe nuk anashkalojmë asnjë nga Dëshmorët e Brigadës 112 “Mujdin Aliu” dhe as të brigadave të tjera. Për hir të së vërtetës, në po të njëjtin tubim, në pajtueshmëri të plotë me Këshillin Organizativ, u recitua një vjershë nga mbesa e Dëshmorit, kushtuar Dëshmorit Hajrëdin Arifi, ku emri i tij u përmend disa herë. Kjo vjershë u mirëprit me duartrokitje të mëdha nga të pranishmit. Gjithashtu, fotografitë e të gjithë Dëshmorëve të Brigadës 112, me emër dhe mbiemër, kanë qenë dhe mbeten në skenografi, pa dallime.

Urojmë që veprime të tilla apo nxitje për cënimin e mbarëvajtjes së manifestimeve të mos ndodhin më në të ardhmen dhe të mos lejojmë që të përdoren fjalë dhe gjeste që nuk i dëshiron askush.

Organizimi i manifestimeve të këtij lloji bëhet në baza vullnetare dhe kërkon punë ekipore, mund, kohë dhe përkushtim. Konsiderojmë se këto nuk kanë munguar gjatë çerek shekullit të kaluar. Duke u përpjekur që të bëjmë më shumë dhe më mirë, mund të ndodhin edhe lëshime dhe keqkuptime, për të cilat Këshilli Organizativ kërkon mirëkuptim, si dhe angazhimin tuaj që këto manifestime në të ardhmen të realizohen me përkushtim edhe më të madh, në mënyrë që Dëshmorët e Kombit të ngriten në piedestalet më të larta.

Në vazhdimësi të organizimit të këtij manifestimi, Këshilli Organizativ, në emër të SHVL-UÇK-së, duke filluar nga manifestimet e viteve të kaluara, ka bërë ndarje të mirënjohjeve për pronarët e shtëpive të cilat në vitin 2001 u bënë çerdhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Edhe këtë vit u ndanë mirënjohje për një pjesë të vendbanimeve, ndërsa vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me vendbanimet e tjera të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”.

Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen dhe jetësimin e idealeve të luftës së vitit 2001.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Tetovë, 15 mars 2026

Trending