Trendy
Screenshot

Pëplasje mes Gashit dhe Kostadinovskit!

Para 2 orë

“Secili duhet të kujdeset për institucionin që drejton, jo të shohë te fusha e të tjerëve,” tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, duke iu përgjigjur kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili kritikoi legjislativin për moszbatimin e detyrimeve që kërkohen nga Gjykata Kushtetuese.

Në lidhje me faktin se për disa ligje nuk u respektuan afatet e vendosura nga Kushtetuesja, Gashi tha se ky nuk është faji i Kuvendit, sepse ndryshimet në ligjet që përmend Kostadinovski i bëjnë ministritë e ngarkuara për këtë. “Çdo koordinim ka përfaqësues të Qeverisë dhe kur kemi një rast të tillë, ne gjithmonë pyesim se deri ku është ligji,” shtoi Gashi.

“Secili duhet të kujdeset për institucionin që drejton, jo të shohë fusha të të tjerëve. Duhet të kujdesemi më shumë për institucionet që drejtojmë sesa të shohim se çfarë punon tjetri. Si politikan nuk hyj në konflikt me institucionet e tjera, por kur shohim si funksionon institucioni që drejtojmë, ai funksionon më mirë. Unë shoh se si funksionon dhe prej atje udhëhiqem në drejtimin e Kuvendit. Pa mendim nga Qeveria nuk mund të ndërmarrim hapa të caktuar”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Kostadinovski në një intervistë për podcastin “Ku janë paratë” kritikoi se Kuvendi nuk i zbatoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë, ai theksoi se nuk do të jetë më tolerant ndaj legjislativit, i cili sipas tij është një organ kushtetuesisht i pandisiplinuar.

“Unë nuk jam i sigurt se do të jem më kaq konstruktiv ndaj legjislativit. Në konferencën e fundit vjetore thashë, muaj i mjaltit për Kuvendin ka mbaruar. Ne i dhamë 3 shanse Kuvendit. Së pari, ligji për komunikimet elektronike, i caktuam afat 2-3 muaj, nuk e respektoi vendimin tonë. I dhamë afat 10 muaj për ndryshimet në Kodin Penal, që të mos ndodhin pasoja të paparashikueshme. A është ky respekt ndaj Gjykatës Kushtetuese? Unë shpesh them se Kuvendi është organ kushtetues i padisiplinuar”, u shpreh Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski vitin e kaluar paralajmëroi disa herë dhe caktoi afat që Kuvendi të miratojë ndryshimet në Kodin Penal, por legjislativi nuk respektoi afatet e vendosura, të cilat i kërkoi edhe bashkësia ndërkombëtare.

Trending