Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, sot ka promovuar përfundimin e punimeve për asfaltimin e një rruge në fshatin Banjicë e Poshtme.
Sipas Limanit, bëhet fjalë për një segment rrugor me gjatësi prej rreth 260 metrash, i cili është rikonstruktuar për shkak të gjendjes së mëparshme jo të mirë të infrastrukturës.
Kryetari Limani gjatë vizitës në terren tha se ndërtimi i kësaj rruge ishte i domosdoshëm për të përmirësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë për banorët e zonës.
“Sot erdhëm për të parë punimet tashmë të përfunduara në Banjicë të Poshtme në gjatësi prej 260 metrash. Rikonstruktimi i kësaj rruge ishte i domosdoshëm për shkak të gjendjes së mëparshme të saj. Tani rruga është ndërtuar sipas standardeve më të larta të ndërtimit dhe do t’u shërbejë banorëve të kësaj zone për qarkullim më të sigurt dhe më të lehtë”, deklaroi Limani, transmeton Zhurnal.mk.
Asfaltimi i këtij segmenti rrugor lidh disa lagje të fshatit Banjicë e Poshtme dhe njëkohësisht shërben si rrugë lidhëse edhe për disa fshatra të tjerë të komunës së Gostivarit.
Limani bëri të ditur se investimet në infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët në të gjitha vendbanimet e komunës.










