Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se veprimet ushtarake kundër Iranit kanë parandaluar, sipas tij, një përshkallëzim të rrezikshëm që mund të çonte në një luftë bërthamore.
Duke folur në Zyra Ovale, Trump fillimisht kritikoi kongresmenen Ilhan Omar, përpara se të ndalej te konflikti me Iranin.
Ai pretendoi se nëse SHBA nuk do të kishte goditur programin bërthamor iranian, Teherani do të kishte zhvilluar një armë bërthamore brenda një muaji. Sipas Trump, një armë e tillë do të ishte përdorur fillimisht kundër Izraelit dhe më pas në rajonin e Lindjes së Mesme.
Do të ishte një luftë bërthamore që mund të evoluonte në Luftën e Tretë Botërore, një luftë nga e cila nuk do të mbetej asgjë,” tha Trump, duke shtuar se ndërhyrja amerikane ishte “një gjë e madhe për botën”.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe pretendoi se vendi nuk ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake. Ai shtoi se një nga sfidat kryesore është mungesa e qartësisë se kush përfaqëson aktualisht udhëheqjen iraniane në bisedime.
“Problemi im më i madh është se nuk e di me kë po flasim, sepse askush nuk ka dëgjuar për këta njerëz,” tha Trump.










