Trendy

Gjykata e Tetovës “amniston” pjesëtarët e tifo grupit maqedonas që i rrahën dy nxënës shqiptarë

Para 3 orë

Grupi i të rinjve maqedonas të cilët shtatorin e kaluar rrahën dy nxënës shqiptarë dhe u shkaktuan lëndime trupore është ‘amnistuar’ nga Gjykata e Tetovës. Një person ka marrë dënim me kusht, kurse kallëzimi penal kundër të miturve është hedhur poshtë, shkruan Portalb.mk.

Vetëm një person është dënuar me dënim me kusht për rrahjen e dy nxënësve shqiptarë nga tifo grupi maqedonas ‘Vojvodat’ i klubit futbollistik ‘Teteks’, ngjarje që ndodhi në fillim të vitit shkollor në shtator.

Prokuroria Themelore Publike sqaroi për Portalb.mk se Prokuroria e Tetovës më 10.11.2025 ngriti aktakuzë kundër një personi të rritur për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 386 paragrafi 4 në lidhje me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

“Më 17.02.2026, Gjykata Themelore Tetovë mori vendim me të cilin i shqiptoi dënim me kusht, ndaj të cilit prokuroria tashmë ka paraqitur ankesë”, thanë nga Prokuroria.

Nga Prokuroria sqaruan se për fëmijët është marrë vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal.

“Pas ankesës së të dëmtuarve, në përputhje me Ligjin për drejtësi për fëmijët, Këshilli për Fëmijë në Gjykatën Themelore Tetovë më 13.02.2026 e hodhi poshtë ankesën dhe e konfirmoi vendimin”, thanë nga Prokuroria Publike.

Lidhur me këtë rast, Portalb.mk ka kërkuar sqarime edhe nga Gjykata Themelore e Tetovës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nga ky institucion nuk morëm përgjigje.

Kujtojmë se në shtator 2025 tifo grupi i klubit futbollistik maqedonas Teteks, të njohur ndryshe si ‘Vojvodat‘ kanë rrahur dy nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore të cilat u konstatuan dhe në Spitalin Klinik të Tetovës.

Policia më pas arrestoi dy persona, ndërsa kreu bisedë informative me 16 të rinj. Më pas, Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ngriti procedurë kundër një të rrituri dhe 7 të miturve për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 386, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. Kundër një personi u caktua masa e paraburgimit të shkurtër për 48 orë.

Nga viti 2021 deri më 16.03.2026, në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë janë regjistruar gjithsej 8 raste që kanë të bëjnë me gjuhë të urrejtjes.

Trending