Rritja e çmimeve dhe mungesa e masave konkrete nga Qeveria po intensifikojnë përplasjet politike në vend. Kreu i socialdemokratëve Filipçe thotë se grupi parlamentar i LSDM-së do të propozojë një paketë ligjesh që do t’i ndihmojnë qytetarët të përballojnë më lehtë pasojat e krizës aktuale ekonomike të shkaktuar nga rritja e çmimeve të karburanteve.
“Së pari ulja e TVSh-së nga 18% në 5% për derivatet, pastaj uljen e akcizës për 4 denarë, ligji i tretë ndërprerja – implementimi i TVSh-së zero denarë për produktet ushqimore dhe ligji i katër – përgjysmimi i çmimit për pikëpagesat, të cilat qytetarët tanë i paguajnë kur udhëtojnë nëpër shtetin tonë”, thotë Venko Filipçe.
Opozita akuzon për neglizhencë institucionale dhe mungesë reagimi ndaj krizës ekonomike që, sipas tyre, po rëndon çdo ditë e më shumë buxhetet familjare në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon nga Qeveria të shkarkojë Ministrin e Ekonomisë, i cili sipas integristëve nuk ka as vizion e as plan për menaxhimin e krizave ekonomike.
“Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht funksionon pa Ministri të Ekonomisë funksionale, ndërkohë që pritet rritje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve bazë, e kostove të transportit dhe, në përgjithësi, shtrenjtim i jetës për qytetarët. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njofton qytetarët se, nëse nuk implementohen urgjentisht masat e propozuara, çmimet në përgjithësi mund të rriten mbi 10%, gjë që do të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare në vend”, tha Albanë Mustafa.
Nga VMRO-DPMNE thonë se Filipçe nuk ka kredibilitet të flas për masa dhe krizën, shtojnë së qeveria po e shqyrton masën për uljës e TVSh-së në 10%.
“Qeveria në mënyrë aktive po e ndjek situatën, po mendohet për uljen e TVSh-së prej 18% në 10%, me qëllim mbrojtjen e standardit të qytetarëve, por gjithsesi të presim qeveria të dal me vendim për këtë çështje”, deklaroi Brane Petrushevski.
Nga Qeveria informojnë se në ditët në vijim do të sjellin vendim për uljen e TVSh-së..










