Trendy

Kina fiton terren në tregtinë shqiptare

Para 3 orë

Tregtia e jashtme e Shqipërisë ka shënuar një kthesë në muajin shkurt, duke reflektuar ndryshime në balancat me partnerët tregtarë dhe një rritje të dukshme të importeve nga Kina.

Sipas raportit të publikuar nga Instat për muajin shkurt 2026, eksportet arritën në 30,9 miliardë lekë, duke u rritur me 2,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 15,8 për qind krahasuar me janarin.

Importet u regjistruan në 68 miliardë lekë, me një rritje prej 0,8 për qind në bazë vjetore dhe 17,6 për qind krahasuar me muajin pararendës, ndërsa deficiti tregtar arriti në 37,1 miliardë lekë.

Në këtë zhvillim, një nga elementët më domethënës është rritja e importeve nga Kina.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importet nga ky vend u rritën me 53,9 për qind në krahasim me shkurtin e vitit të kaluar, duke u renditur ndër rritjet më të forta mes partnerëve tregtarë.

Ky zhvillim vjen pas një fillimi viti me rënie të përgjithshme të tregtisë. Në janar, eksportet kishin rënë me 4,5 për qind, ndërsa importet me 4 për qind, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare.

Të dhënat e shkurtit tregojnë gjithashtu ndryshime në strukturën e tregtisë. Eksportet janë rritur kryesisht falë mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, si dhe makinerive dhe pajisjeve, ndërsa disa sektorë si ushqimet, tekstilet dhe materialet e ndërtimit kanë pasur ndikim negativ në performancë.

Në anën e importeve, rritja është ndikuar kryesisht nga makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit, ndërsa disa kategori si mineralet dhe materialet e ndërtimit kanë shënuar rënie.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke përbërë mbi gjysmën e shkëmbimeve totale. Në shkurt, eksportet drejt vendeve të BE-së përbënin 70,3 për qind të totalit, ndërsa importet 49,9 për qind.

 

Trending