Astronomja kosovare Pranvera Hyseni është shpërblyer me një nga çmimet më prestigjioze për studentët në fushën e shkencave planetare. Ajo ka fituar Çmimin Dwornik për prezantimin më të mirë oral nga një student në konferencën ndërkombëtare të Shkencave Planetare dhe Hënore 2025, që u mbajt në Houston, SHBA.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Hyseni përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë emocionet për këtë arritje të madhe mes një audience me mbi 2 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Ajo theksoi rëndësinë e këtij çmimi, i cili jepet nga Divizioni i Gjeologjisë Planetare në kuadër të Shoqatës Gjeologjike të Amerikës, për prezantimet më të dalluara të studentëve në fushën e shkencave planetare.
“Me u përzgjeth unë mes krejt atyne njerëzve t’zotë… s’po gjej fjalë. Projekti im lidhej me shpërndarjen e lëndës organike në familjet e asteroidëve, bazuar në të dhëna që i mblodha përmes vëzhgimeve me teleskopin e NASA Infrared Telescope Facility në ishullin Hawai’i”.









