Komuna e Tetovës ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan, “manipulimeve” nga BDI dhe iniciativa Më mirë për Tetovën, duke sqaruar se projekti i digjitalizimit të sistemit të ujit nuk përbën koncesion, por synon të ndalë keqpërdorimet dhe humbjet e mëdha në rrjet.
Sipas Komunës, qëllimi i projektit është t’i japë fund një periudhe ku qytetarët e rregullt paguanin edhe për ata që nuk paguajnë ose që, siç thuhet në reagim, “vjedhin ujin përmes kyçjeve ilegale”.
“Uji i Tetovës mbetet i qytetarëve. Ajo që ndryshon është fundi i mospagesës dhe i lidhjeve të paligjshme”, thuhet në reagim. Komuna thekson se aktualisht qytetarët përballen me një barrë të padrejtë, pasi rreth 70% e ujit humbet, keqpërdoret ose vidhet, kryesisht për shkak të matësve të vjetruar dhe mungesës së mirëmbajtjes ndër vite.
Në reagim gjithashtu kritikohet narrativa se projekti do të rëndojë qytetarët, duke e cilësuar atë si “cinizëm kulminant”, ndërsa rikujtohet se çdo sistem publik funksionon mbi bazën e përgjegjësisë dhe pagesës së drejtë.
Duke bërë një krahasim me menaxhimin e mbeturinave, Komuna përmend se situata në qytet është përmirësuar falë bashkëpunimit me kompaninë Saubermacher dhe ndërmarrjen rajonale Rusino, duke shtuar se pa këtë menaxhim profesional, mbeturinat do të digjeshin sërish në hapësira të hapura. Në fund, Komuna paralajmëron se nëse nuk vendoset rend në sistemin e ujit, humbjet mund të arrijnë deri në 90%, duke e bërë situatën të pakthyeshme.










