Shkup, 19 mars – Klinika e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive në Shkup me Kolegjium profesional etnikisht të pastër, nga 8 anëtarë, tashmë asnjë nuk është shqiptar. Një anëtar që ishte, ditë më parë është shkarkuar nga drejtoresha Jasmina Gjorgjievska Pavlovska. Gjithashtu, nga gjashtë reparte të Klinikës, asnjë mjek shqiptar nuk është udhëheqës reparti, shkruan gazeta KOHA. Anëtarë të Kolegjiumit zakonisht janë drejtuesit e Reparteve dhe janë personat kryesor për punën e klinikave. Në këtë klinikë, për shqiptarët nuk është gjetur vend as në Këshillin Drejtues.
Ndryshe, njëjtë sikurse Klinika për Kirurgji Plastike, edhe shumë Klinika tjera që në fillimet me punë të Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM, janë “pastruar” nga shqiptarët. Veçanërisht kjo ka ndodhur në Këshillat drejtues të Klinikave. Që në 2024, pas ardhjes së Qeverisë së re, në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Syrit, anëtari i vetëm shqiptar i bordit, Nedim Kasami, ishte zëvendësuar me Violeta Bilbilovska. Në Poliklinikën “Zhelezara “, anëtari i vetëm shqiptar i bordit, Nuran Veseli, ishte zëvendësuar me Vesna Andonovska.
Në Klinikën Universitare për Reumatologji, numri i anëtarëve shqiptarë tashmë është përgjysmuar nga dy në një, ku dr. Shehu ishte zëvendësuar me Ivana Petkovska. Në Klinikën Universitare për Hematologji, anëtari i vetëm shqiptar, Dr.Aliriza Osmani, ishte larguar dhe Hematologjia tashmë ka një bord monoetnik. Në Institutin për Sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkuloz, numri i anëtarëve shqiptarë është ulur nga dy në një. Adrian Dalipi ishte zëvendësuar me Goran Rangelov, ndërsa në Klinikën Universitare për Kardiokirurgji, Saime Sherifi ishte zëvendësuar me Bojan Krstiq. (koha.mk)










