Trendy

Çmimet e naftës rriten, rajoni me masa, Qeveria e Maqedonisë mendohet

Para 1 ditë

Pasiguria rreth konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i tij ekonomik vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes pas rritjes së çmimeve të naftës në mbi 100 dollarë për fuçi dhe pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës për çdo ditë kalon rreth 20 përqind e tregtisë globale të naftës, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.

Çmimet e naftës u rritën për më shumë se pesë përqind të martën, gjë që pasoi pasi disa vende nuk e pranuan kërkesën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për ta ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Irani vazhdoi t’i targetojë vendet fqinje që prodhojnë naftë të papërpunuar.

Me këtë rritje prej pesë përqind u kompensua rënia e ndjeshme e një dite më parë, e cila erdhi pasi kryetari i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) tha se nëse do të ishte e nevojshme mund të shfrytëzoheshin më shumë rezerva, raportoi agjencia e lajmeve France-Presse.

Kjo pasiguri është arsyeja se pse vendet në rajon në dy javët e fundit kanë aplikuar modele të ndryshme për zbutjen e rritjes së çmimeve si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës.

Ajo që kanë të përbashkët shumica e fqinjëve të Maqedonisë është se ata reaguan shpejt, disa me masa të drejtpërdrejta, e disa me masa indirekte. Për dallim nga ata Qeveria e Maqedonisë thotë se po e monitoron në mënyrë aktive situatën me çmimet e karburantit dhe po shqyrton disa masa të mundshme që do t’i “zbatonte në kohën e duhur”.

“Ndër opsionet që po shqyrtohen është ulja e TVSH-së nga 18% në 10%, me mundësinë për një ulje të mëtejshme, varësisht nga lëvizjet në tregjet botërore. Qëllimi është mbrojtja e standardit të jetesës, ulja e presionit të çmimeve dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Ato thonë edhe se Qeveria planifikon të reagojë në kohën e duhur duke i kufizuar presionet e çmimeve, ndërsa për këtë qëllim ka realizuar edhe një takim me përfaqësues të rrjeteve të supermarketeve dhe hipermarketeve për sjellje të përgjegjshme dhe të drejtë në treg.

“Institucionet kompetente, siç janë Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, do ta monitorojnë sjelljen e tregtarëve, ndërsa kontrollet në terren do të vazhdojnë. Nëse identifikohen parregullsi do të merren masa adekuate për sjellje të drejtë dhe mbrojtje të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Më herët këtë fundjavë kryeministri Hristijan Mickoski sërish deklaroi se ishte takuar me distributorët kryesorë të naftës dhe produkteve të naftës, dhe se kishin arritur në përfundimin se vendi ka rezerva të mjaftueshme.

“Nëse çmimi, sipas ligjit, shkon mbi 800 dollarë për ton, atëherë mund ta ulim akcizën nga 800 dollarë deri në 1.000 dollarë për ton për një denar, ndërsa nga 1.000 dollarë në 1.200 dollarë për ton për dy denarë. Mbi këtë vlerë ne mund ta ulim akcizën për katër denarë. Pra, kemi mekanizma që po i planifikojmë, nëse e gjithë kjo vazhdon, por shpresojmë se nuk do të vazhdojë”, tha Mickoski për TV Ora.

KRRE: Nafta u rrit për shkak të rritjes globale të çmimeve dhe kursit të këmbimit të dollarit

Çmimet e karburanteve në vend për javën e dytë radhazi po rriten, mesatarisht për rreth 9% krahasuar me javën e kaluar, edhe pse pas rritjes rekord në fillim çmimi i naftës së papërpunuar në bursat botërore ra.

Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës thotë se “çmimet referente për derivatet e naftës kanë shënuar një rritje të ndjeshme, sidomos ato të naftës, ndërsa një ndikim shtesë ka kursi më i lartë i këmbimit të dollarit”, prandaj çmimet me pakicë janë korrigjuar për më lartë.

Çmimi i ri i naftës, i cili do të jetë në fuqi deri në fund të javës, ka arritur në 92 denarë për litër, që është një rritje prej 6,5 denarësh krahasuar me javën e kaluar.

Serbia e uli akcizën, Kroacia i kufizoi çmimet e shitjes me pakicë të naftës

Për krahasim, qeveria serbe më 13 mars vendosi ta ulë akcizën për derivatet e naftës për 20 përqind. Kjo do të jetë e përkohshme, do të vlejë deri më 15 prill.

“Për shkak të rritjes së çmimeve të naftës së papërpunuar në tregun botëror, shteti “ka marrë mbi vete barrën dhe po ul vlerën e akcizës për benzinën pa plumb dhe naftën”, thuhet në një deklaratë qeveritare të transmetuar nga televizioni shtetëror serb RTS.

Përveç kësaj, deri më 19 mars në Serbi është në fuqi ndalesa e autoriteteve serbe për eksportin e naftës dhe derivateve të naftës.

Qeveria kroate më 9 mars mbajti një seancë të jashtëzakonshme për t’i rivendosur kufizimet e çmimeve të karburantit si reagim ndaj jostabilitetit në Lindjen e Mesme dhe luftës së vazhdueshme në Iran, e cila po ndikon në tregjet globale të naftës. Çmimet maksimale me pakicë hynë në fuqi më 10 mars dhe do të jenë në fuqi për dy javë.

Greqia dhe Bullgaria me masa kundër përfitimit ekonomik

Greqia më 11 mars publikoi një kufizim të marzhave të fitimit të karburantit dhe produkteve në raftet e supermarketeve për një periudhë tre mujore për t’i ndaluar spekulimet nga rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuara nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

“Padyshim, ne nuk mund ta përballojmë rritjen e çmimeve primare, por sigurisht që po dërgojmë një mesazh se kjo krizë ekonomike nuk duhet të çojë drejt fitimeve”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pas kumtimit të vendimit.

Në një përpjekje për t’i parandaluar kompanitë e tregtimit të karburantit të përfitojnë padrejtësisht nga rritja e çmimeve të energjisë në kurriz të konsumatorëve, qeveria greke tha se do të vendoste një kufizim prej 12 centësh për litër në çmimin me shumicë të benzinës dhe naftës në pompat e benzinës, ndërsa supermarketet do të përballen me gjoba deri në 5 milionë euro nëse marzhat e tyre të fitimit tejkalojnë mesataren e vitit 2025.

Qeveria e përkohshme e Bullgarisë më 12 mars përgatiti masa për t’i mbështetur familjet dhe bizneset për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit. Është planifikuar ndihmë financiare direkte për personat me të ardhura më të ulëta, e cila do të transferohet në llogaritë e tyre bankare nëse çmimet vazhdojnë të rriten. Buxheti fillestar i kësaj mase është rreth 30 milionë euro, ndërsa sipas saj planifikohet që fondet të paguhen çdo muaj, raporton agjencia bullgare e lajmeve BNR.

Përveç kësaj, Agjencia Kombëtare Bullgare e të Ardhurave njoftoi se do ta përforcojë kontrollin mbi pompat e benzinës për të monitoruar nëse rritja e çmimeve të karburantit nuk është rezultat i spekulimeve.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor pa masa të forta për t’u përballur me rritjen e çmimeve deri më tani është Shqipëria, ku rregullatorët një javë më parë njoftuan se po i monitorojnë tregjet me shumicë dhe pakicë të karburantit, sidomos çmimet e benzinës dhe naftës në pompat e benzinës. Për dallim nga ato Qeveria e Kosovës ka prezantuar një kufi të marzheve të fitimit të shitjes së karburantit. Më 4 mars ministrja e industrisë, sipërmarrjes dhe tregtisë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e publikoi vendimin për prezantimin e një kufizimi të përkohshëm të marzhit maksimal të lejuar për karburantet e tregtuara në tregun e Kosovës, raportoi gazeta “Gazeta Ekspres”.

Me ndryshimeet e fundit që u publikuan më 16 mars, benzina Eurosuper BS-95 do të shitet për 86.5 denarë për litër duke filluar nga sonte, një litër Eurosuper BS-98 do të kushtojë 88.5 denarë, një litër dizel do të shitet për 92 denarë, dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri për 89.5 denarë. Çmimi i mazutit po rritet gjithashtu nga sonte, i cili tani do të kushtojë 47.453 denarë për kilogram.

Trending