Kur Donald Trump dëshiron të thotë diçka, ai nuk bazohet te mirësjellja dhe takti diplomatik, madje as para miqve dhe aleatëve. Në deklaratat që bëri të enjten në krah të kryeministres japoneze Sanae Takaichi, Trump iu referua një ngjarjeje historike që përfshin të dy vendet: sulmin ndaj Pearl Harbor.
Kur një gazetar japonez e pyeti presidentin amerikan pse nuk i informoi aleatët, si Japonia, për qëllimin e tij për të sulmuar Iranin, Trump bëri një krahasim me sulmin që ndodhi në vitin 1941 dhe që futi SHBA-të në Luftën e Dytë Botërore.
“Nuk duhet të japësh shumë shenja. E dini, kur ne sulmuam, sulmuam shumë fort dhe nuk i thamë askujt sepse donim që të ishte një surprizë. Kush i njeh më mirë se Japonia kur flitet surprizat?” – tha Trump teksa zyrtarët amerikanë që po dëgjonin përpiqeshin të fshihnin të qeshurat e tyre.
Dhe duke iu drejtuar gazetarit, ai tha: “Ju pse nuk më treguat mua për Pearl Harbor? Dakord?”
Dhoma ra në heshtje, raporton “The Independent” dhe Trump vazhdoi duke thënë se “ai [gazetari] më pyeti për surprizat. Falë asaj surprize ne shkatërruam 50% dhe shumë më tepër sesa prisnim. Kështu që po shkova dhe ua tregova të gjithëve, nuk është më surprizë.”
Kanë kaluar 83 vjet që nga sulmi dhe SHBA-ja dhe Japonia tani janë aleatë të ngushtë. Për Trumpin, kjo duket se është e mjaftueshme për të bërë një shaka të sikletshme.










