Në Maqedoninë e Veriut ende mungon një regjistër i përditësuar dhe i plotë me të dhëna për veturat zyrtare. Regjistri ekzistues i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit mbetet i qasshëm për publikun, por nuk i përfshin të gjitha automjetet. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur procesin për krijimin e një regjistri të ri, por pa afat konkret se kur pritet të përfundojë, pasi procedurat janë ende duke vijuar, shkruan Portalb.mk.
Në dhjetor 2025 Qeveria e RMV-së njoftoi për Portalb se Ministria e Punëve të Brendshme punon në krijimin e një regjistri qendror të automjeteve, i cili duhej të përfundonte deri në fund të vitit.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi në këtë afat kohor.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme për Portalbin bënë të ditur se prokurimi realizohet në përputhje me dispozitat e nenit 53 të Ligjit për Prokurime Publike, dhe procedura zhvillohet në tre faza: parakualifikimi, dialogu dhe dorëzimi i ofertës përfundimtare.
“Procedura në Ministrinë e Punëve të Brendshme aktualisht ndodhet në fazën e parë – parakualifikim, dhe ende nuk ka përfunduar. Prandaj, në përputhje me nenin 30, paragrafi 5 të Ligjit për Prokurime Publike, informacionet ende nuk kanë karakter publik”, thanë nga Ministria e Brendshme.
Nga aty thonë se zbatimi i plotë i regjistrit të automjeteve duhet të përfundojë më së voni brenda 8 (tetë) muajve nga nënshkrimi i kontratës.
Sipas MPB-së, qasje në regjistër duhet të kenë: Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Ministria e Transportit, Ministria e Ekonomisë, Byroja e Metrologjisë, personat juridikë të autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve, personat juridikë të autorizuar për identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes teknike të automjeteve dhe/ose makinave mobile, subjektet që prodhojnë dhe/ose vendosin automjete në treg në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shërbimet teknike të autorizuara për miratimin e automjeteve individuale dhe atyre të modifikuara, subjektet e autorizuara për marrjen e automjeteve të shkatërruara, Byroja Kombëtare e Sigurimeve, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, Agjencia e Punësimit, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Administrata Doganore, Regjistri Qendror i RMV-së, Oda e Noterëve dhe Oda e Përmbaruesve.
“Qasja në regjistrin e automjeteve përcaktohet sipas dispozitave të Ligjit për Automjete”, thanë nga MPB.
Sipas planifikimeve regjistri i automjeteve do të ketë të dhëna të detajuara mbi automjetet, pronarët dhe elemente shtesë.










