Trendy

Maqedonia e Veriut intensifikoi aktivitetet për reformën e legjislacionit zgjedhor!

Para 1 muaj

Në seancën e dytë të grupit të punës për reformën e legjislacionit zgjedhor, u miratuan procesverbalet e seancës konstituive dhe Rregullorja e punës, të cilat vendosën bazën për punë të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, filloi një analizë e detajuar e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat do të përfaqësojnë një bazë kyçe për ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor, informoi Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë vitit 2025, Ministria e Drejtësisë përgatiti një version pune të Kodit Zgjedhor, të cilin ua vumë në dispozicion të gjithë anëtarëve të grupit të punës. Presim që anëtarët të shqyrtojnë rekomandimet në bashkëpunim me partitë politike në dy javët e ardhshme, pas së cilës do të vazhdojmë të harmonizojmë qëndrimet”, informuan ata.

Ata shtuan se po vazhdojnë konsultimet intensive me institucionet përkatëse.

“Një takim është mbajtur tashmë me përfaqësues të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku u zhvilluan diskutime mbi përmirësimin e kuadrit ligjor, si dhe forcimin e transparencës dhe efikasitetit të procesit zgjedhor. Priten propozimet e tyre konkrete. Në periudhën në vijim, do të pasojnë takime edhe me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Entin Shtetëror të Revizionit, si dhe me përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile. Reformat në legjislacionin zgjedhor kërkojnë dialog politik dhe konsensus të gjerë. Vetëm përmes një qasje të përbashkët mund të ndërtojmë një sistem zgjedhor të qëndrueshëm, të besueshëm dhe të drejtë. Seanca e radhës e grupit të punës për reformat në legjislacionin zgjedhor do të mbahet më 8 prill”, informojnë nga ministria.

Kujtojmë se më 16 gusht të vitit të kaluar në kuvend u mbajt seancë e jashtëzakonshme, siç u njoftua nga kuvendi, për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat sigurojnë përputhje me rekomandimet e ODIHR-it dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të njëjtat nuk u miratuan. Në votimin e parë votuan 86 deputetë, prej tyre 66 pro, ndërkaq 18 ishin kundër. Në votimin e dytë, kur votimi u bë nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, nga 29 deputetë të regjistruar, 11 deputetë votuan pro, kurse 18 kundër.

Trending