Trendy

Rritet rreziku për përfshirjen e vendeve të Gjirit Persik në luftën kundër Iranit

Para 3 orë

Vendet e Gjirit Persik po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e përfshirjes direkte në konfliktin me Iranin, pas një sërë sulmesh që kanë rrezikuar infrastrukturën e tyre energjetike dhe ekonominë, raporton “Wall Street Journal”.

Edhe pse për momentin nuk kanë dërguar trupa tokësore, shtetet e Gjirit tashmë po ndërmarrin hapa që mbështesin ofensivën amerikano-izraelite, nga ndihma logjistike deri te presioni ekonomik ndaj Teheranit.

Arabia Saudite, e cila më parë ishte distancuar nga konflikti, tani po ndryshon qasjen. Pas një sërë sulmesh iraniane me raketa dhe dronë ndaj objekteve energjetike dhe kryeqytetit Riad, mbretëria ka lejuar përdorimin e një baze ajrore nga forcat amerikane.

Burimet bëjnë të ditur se princi i kurorës, Mohammed bin Salman, është gjithnjë e më afër vendimit për përfshirje direkte, me qëllim rikthimin e fuqisë parandaluese të shtetit.

“Durimi i Arabisë Saudite nuk është i pakufizuar”, deklaroi ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan, duke aluduar për një reagim më të ashpër.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe po ndërmarrin masa financiare kundër Iranit, duke mbyllur institucione të lidhura me regjimin dhe duke kërcënuar me ngrirjen e miliarda dollarëve asete iraniane. Këto hapa mund të kufizojnë seriozisht qasjen e Teheranit në valuta të huaja dhe tregjet globale.

Paralelisht, po shqyrtohet edhe mundësia e dërgimit të ushtrisë, ndërsa Emiratet po lobojnë kundër një armëpushimi që do të linte të paprekura disa nga kapacitetet ushtarake iraniane.

Edhe pse zyrtarisht pretendojnë se nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në sulme, ka indikacione se disa operacione tashmë zhvillohen nga territoret në rajon, çka tregon për një përfshirje graduale në konflikt.

Sipas medias, monarkitë e Gjirit ndodhen në një pozitë të ndërlikuar: nga njëra anë janë nën presion për t’iu përgjigjur sulmeve iraniane, ndërsa nga ana tjetër frikësohen se mund të mbeten të vetme nëse SHBA tërhiqet papritur nga konflikti.

Presion shtesë paraqet edhe paralajmërimi nga Teherani për të vendosur kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit dhe madje për të vendosur tarifa kalimi, gjë që rrezikon drejtpërdrejt rrjedhat globale të energjisë.

Analistët vlerësojnë se pikërisht këto kërcënime po e shtyjnë rajonin drejt një përshkallëzimi më të thellë, me rrezik për zgjerimin e luftës në më shumë fronte.

Trending