Një histori e jashtëzakonshme suksesi vjen nga një shqiptar që dikur u detyrua të braktiste shkollën, por sot renditet ndër pastiçierët më të vlerësuar në Itali.
Selam Allaraj, me origjinë nga fshati Topojan i Kukësit, u përjashtua nga shkolla që në klasën e katërt për shkak të mungesave, pasi ishte i detyruar të punonte me bagëti për të ndihmuar familjen në kushte të vështira ekonomike. 
Jeta e tij u godit edhe nga një tragjedi familjare, pasi humbi dy vëllezër në emigrim në Greqi, një ngjarje që ndikoi thellë në rrugëtimin e tij dhe e shtyu të kërkonte një të ardhme jashtë vendit. 
Në moshë të re, ai emigroi drejt Italisë, pa njohuri të gjuhës dhe pa arsimim formal. Fillimisht punoi si kamarier dhe bëri punë të ndryshme për të mbijetuar, ndërsa paralelisht mësoi vetë profesionin e pastiçerisë. 
Me përkushtim dhe punë të palodhur, Allaraj arriti të ngjitet në karrierë, duke u bërë shef pastiçerie dhe duke fituar vlerësime si një ndër më të mirët në Venecia. 
Sot, historia e tij konsiderohet një shembull frymëzimi për shumë të rinj, duke dëshmuar se pavarësisht vështirësive dhe mungesës së mundësive, suksesi mund të arrihet me këmbëngulje dhe pasion.










