”Në këtë pjesë, kompetencat e nënkalimit tek sheshi Skenderbeu në Shkup i takojnë Komunës së Çairit ndërsa në anën tjetër i takojnë Komunës Qendër. Gjendja momentale e këtij nën kalimi është kjo që po e shihni në mes të këtij nënkalimi,” raporton gazetari Avni Tahiri.
Si në pjesën që i takon komunës Qendër ashtu edhe pjesës që i takon komunës së Çairit, kamera e Alsat, regjistroi rrjedhje uji nën urë ndërsa gjendja e mirëmbajtjes ishte jo e mirë në të gjithë nënkalimin.
Përderisa vazhdojnë përplasjet ndërmjet BDI-së dhe Komunës së Çairit për çështjen se kush është përgjegjës për gjendjen e urës në Sheshin Skënderbeu në Shkup, në Qendrën për Menaxhim me Kriza askush nuk ka denoncuar rastin.
“Deri më tani, në Qendrën për Menaxhimin e Krizave, përkatësisht në numrin falas për thirrje emergjente 112, nuk ka asnjë raportim për ekzistimin e rrezikut ndaj sigurisë së qytetarëve nga ura pranë Sheshit Skënderbeu në Shkup. Nëse ka një denoncim i tillë, shërbimet operative në do t’i njoftojnë institucionet kompetente dhe do të ndërmerreshin masat përkatëse të sigurisë,” thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
- Nuk ka njoftim për rrezikim të sigurisë së qytetarëve
- Nëse ka njoftim do të merren masa përkatëse
Përplasjet ndërmjet BDI-së dhe Komunës së Çairit, për gjendjen e nënkalimit tek sheshi Skënderbeu në Shkup, filluan ditë më parë. Opozita akuzoi komunën e Çairit për neglizhencë të këtij nënkalimi. Nga Komuna e Çairit thonë se BDI po tenton të manipulojë opinionin publik me informata të pavërteta për Sheshin “Skënderbeu” dhe territorin e Komunës së Çairit. /Alsat.mk










