Po ashpërsohet konkurrenca në tregtinë me mallra për konsum të gjere në vend. Pas “LIDL”, po hapet një brend si “Pepco” nga Polonia prezent në gati tërë Ballkanin. Gjithashtu, rrjeti i marketeve “Kit Go” po ribrendohet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 mars – Rrjeti i marketeve “Kit Go” po ribrendohet dhe kalojë nën markën e famshme Spar. Kit-Go tani quhet “Spar Maqedonia e Veriut” dhe 62 dyqane me pakicë në të gjithë vendin janë riemërtuar me emrin e ri. Numri më i madh i dyqaneve është në Shtip, por edhe në Shkup, si dhe në pothuajse të gjitha qytetet e tjera më të mëdha dhe më të vogla në vend, të cilat tani janë regjistruar zyrtarisht si “Spar”. Me fjalë tjera, po ashpërsohet konkurrenca në tregtinë me mallra për konsum të gjere në vend. Pas LIDL, po hapet një brend si “Pepco” nga Polonia prezent në gati tërë Ballkanin. Në tregun e marketeve në Maqedoni edhe tani ekzsiton një konkurrencë e madhe ku punojnë “KAM”, “Kipper Market”, “Stokomak”, “Tinex”, “Vero”, “Zhito”, “Kit Go” dhe “Ramstore” si dhe disa markete me shtrirje rajonale, shkruan gazeta KOHA.
Marketet “Kit Go”, 58 në të gjithë vendin, dy vite më parë u blenë nga kompania kosovare “Viva Fresh” për rreth 60 milionë euro, por deri vonë kanë operuar nën markën “Kit Go” dhe më disa markete si “Viva Fresh”. “Viva Fresh” tashmë zotëron SPAR Albania dhe pjesën Studio Moderna në Maqedoni, kompaninë që përfaqësonte marka të tilla si “Dormeo”, “Delimano” dhe “Top Shop”, me një rrjet dyqanesh në të gjithë vendin që u shit para dy vitesh pas problemeve financiare të pronarit slloven. Kompania nga Kosova – “Viva Fresh” ka finalizuar në korrik 2025 blerjen e zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, “Spar Albania”. Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, grupi “BALFIN” ka përfituar 36.4 milionë euro për shitjen e kuotës së plotë të aksioneve të “Spar Albania”.
Në pjesën më të madhe, transaksioni u financua me një kredi që kompania nga Kosova mori nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). BERZH i akordoi “Viva Fresh” një kredi në shumën totale të 25 milionë eurove, me qëllim financimin e hyrjes së saj në tregun shqiptar të shitjeve me pakicë, nëpërmjet blerjes së “Spar Albania”. “Viva Fresh” zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë.
Në ndërkohë, me hapjen e “Pepco” pritet që familjet të shijojnë modën, produktet shtëpiake dhe artikujt praktikë që janë në modë. Dyqane të ngjashme me “Pepco” përfshijnë shitës me pakicë me zbritje, jo-ushqimore dhe me çmime të përballueshme, të përqendruara në artikuj shtëpiakë dhe veshmbathje, “meAction”, “Tedi”, “KiK” dhe “Sinsay”, duke qenë konkurrentët më të afërt në Evropë. Këto zinxhirë ofrojnë veshje, dekor shtëpie dhe mallra thelbësore shtëpiake me çmime të përballueshme, të cilat synojnë konsumatorët me buxhet të kufizuar.
“Pepco” do të hapë dyqanet e saj të para në tregun maqedonas në qershor të vitit 2026 në Shkup.. Hapja shënon debutimin e “Pepco” në tregun e Maqedonisë dhe u ofron konsumatorëve një destinacion të ri për nevojat e përditshme me stil me kombinimin më të mirë të çmimit dhe cilësisë.
“Tregu maqedonas ka qenë në hartën tonë për një kohë të gjatë. Ky është një hap i natyrshëm në zhvillimin tonë pas funksionimit të suksesshëm të dyqaneve tona në Kroaci, Slloveni, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari dhe Greqi, dhe jemi të kënaqur të konfirmojmë se ky do të jetë vendi ynë i nëntëmbëdhjetë evropian. Qëllimi i ‘Pepco’-s është ta bëjë jetën e përditshme më të lehtë për konsumatorët duke ofruar produkte moderne për shtëpinë dhe gardërobën me çmimet më të mira të mundshme”, tha Marcin Stanko, drejtor ekzekutiv për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Operacionet Qendrore në “Pepco”.
Gjithashtu, kompania gjermane “Lidl” vazhdon të ndërtojë supermarkete në të gjithë vendin apo të dytin në Shkup. Një supermarket i ri do të ndërtohet në lagjen Gazi Baba të Shkupit në rrugën “Blagoja Stefkovski”. Objekti i ri i shitjes me pakicë do të mbulojë një sipërfaqe prej afërsisht 2500 metrash katrorë, nga të cilat afërsisht 1500 metra katrorë do të jenë hapësira tregtare. Janë planifikuar afërsisht 130 vende parkimi. Me ndërtimin e objektit të ri të shitjes, “Lidl” po forcon rrjetin e saj të shitjeve dhe po përmirëson lidhjen e saj me komunitetin lokal. “Me këtë investim, po krijojmë vende të reja pune dhe mundësi për bashkëpunim me kompanitë lokale si në procesin e ndërtimit të tregut ashtu edhe në procesin e furnizimit të produkteve. Bashkëpunimi me prodhuesit maqedonas po intensifikohet vazhdimisht dhe jam i kënaqur që vitin e kaluar eksporti i produkteve maqedonase përmes rrjetit “Lidl” a arriti në 15.5 milionë euro krahasuar me 5 milionë euro në vitin 2024 dhe 500 mijë euro të realizuara në vitin 2023”, tha Goce Gavrilov, drejtor i pasurive të paluajtshme në “Lidl” të Maqedonisë së Veriut.
“Lidl” filloi ndërtimin e dyqanit të saj të parë në kryeqytetin Shkup në shtator 2025. Më parë, në janar 2024, kompania filloi ndërtimin e një qendre logjistike prej 80 milionë eurosh pranë Kumanovës. Në vitin 2021, qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se “Lidl” planifikon të hapë supermarkete në tetë qytete të vendit, si pjesë e një plani investimi prej 300 milionë eurosh.
Ndryshe, gati 20 vite më parë, largimi i “Carrefour” u raportuar nga mediat me borxhe të mëdha ndaj furnizuesve të saj, por edhe ndaj bankave. Pronari i tregut në Maqedoni, siç raportuan mediat, ishte kompania greke “Marinopoulos”, e cila bleu marketet “Carrefour” në Greqi, pasi kjo kompani franceze vendosi të tërhiqte biznesin e saj nga Greqia. (koha.mk)










