Irani u ka thënë ndërmjetësve se Libani duhet të përfshihet në çdo marrëveshje armëpushimi me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, thanë gjashtë burime rajonale të njohura me qëndrimin e Iranit, duke e lidhur fundin e luftës me ndalimin e ofensivës së Izraelit kundër Hezbollahut.
Televizioni iranian Press TV citoi të mërkurën një zyrtar iranian i cili tha se Teherani dëshironte që çdo marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të siguronte fundin e luftës si ndaj Iranit ashtu edhe ndaj “grupeve të tjera të rezistencës” në rajon.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters të mërkurën se Teherani po shqyrtonte ende një propozim të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës rajonale që ka zgjatur prej gati një muaji, duke treguar se Teherani deri më tani nuk e kishte refuzuar atë plotësisht, transmeton Sinjali.
Gjashtë burimet rajonale, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se Teherani i kishte informuar ndërmjetësit që në mesin e marsit se kërkonte një marrëveshje që do të ndalonte gjithashtu sulmet e Izraelit ndaj grupit të armatosur libanez Hezbollah.
Hezbollahu u themelua nga Garda Revolucionare e Iranit në vitin 1982 dhe shihet gjerësisht si maja e aleancës rajonale të aktorëve të armatosur të Iranit. Ai hapi zjarr ndaj Izraelit më 2 mars në solidaritet me Teheranin, duke shkaktuar një fushatë ajrore dhe tokësore izraelite në Liban.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga ministria e jashtme e Iranit, ministria e jashtme e Izraelit apo ushtria izraelite ndaj pyetjeve të Reuters mbi këtë çështje.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump tha se ndërprerja e “aktiviteteve të ndërmjetësuara” të Iranit dhe çarmatosja e Hezbollahut ishin “thelbësore për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Liban dhe në të gjithë rajonin”.










