Trendy

Trump: Irani po kërkon marrëveshje, jo ne! NATO nuk ishte e detyruar të na mbështeste, megjithatë do mbahet mend refuzimi u tyre! Rubio: Bota t’i jetë mirënjohëse SHBA-së.

Para 4 javë

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, deklaroi se Uashingtoni ka “indikacione të forta” se Irani mund të bindet të hyjë në një marrëveshje, megjithëse e fajësoi Teheranin për ndërprerjen e bisedimeve dhe refuzimin e kërkesave për negociata. Sipas tij, Irani po kërkon një rrugëdalje nga konflikti.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin Trump, sekretarin e Mbrojtjes Hegseth dhe atë të Jashtëm Rubio, Witkoff zbuloi gjithashtu se pala iraniane u ka thënë negociatorëve amerikanë se zotëron rreth 460 kilogramë uranium të pasuruar, sasi që sipas tij mund të përdoret për ndërtimin e 11 bombave atomike. Ai konfirmoi se SHBA-të kanë paraqitur një propozim me 15 pika për një marrëveshje paqeje, i cili po ndërmjetësohet përmes Pakistanit dhe ka sjellë deri tani “mesazhe dhe biseda pozitive”.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA-të do të vazhdojnë të “negociojnë me bomba” derisa të ketë bisedime konkrete, duke theksuar se Uashingtoni shpreson për një marrëveshje, por mbetet i gatshëm për veprime ushtarake. Ai përmendi edhe një sulm të dështuar iranian ndaj bazës Diego Garcia, duke e cilësuar Iranin si kërcënim global.

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se është Irani ai që po kërkon marrëveshje dhe jo SHBA-të, duke shtuar se sulmet e fundit kanë goditur rëndë kapacitetet ushtarake iraniane. Ai paralajmëroi gjithashtu se Teherani kishte plane për dominim në Lindjen e Mesme dhe synonte të siguronte armë bërthamore.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se vendet e botës duhet të jenë mirënjohëse që SHBA-të po përballen me një kërcënim të tillë.

Në të njëjtën linjë të fortë, Trump dërgoi mesazhe edhe ndaj aleatëve në NATO, duke theksuar se mbështetja ndaj SHBA-ve në këtë moment do të mbahet mend në të ardhmen.

Trending