Trendy

A do të ketë zgjedhje parlamentare këtë vit, ja çka thotë Mickoski?!

Para 3 orë

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria nuk ka ndërmend të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë këtij viti dhe se mbetet e përkushtuar ndaj ciklit të rregullt zgjedhor në vitin 2028, përcjell INA.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me sondazhet aktuale dhe marrëdhëniet politike, Mickoski theksoi se, edhe pse politikisht do të ishte e leverdishme të shkohej në zgjedhje të parakohshme pas fitores bindëse në zgjedhjet lokale, ai nuk e konsideron këtë si një veprim të drejtë dhe shtetëror.

“Kam thënë se këtë vit nuk kemi ndërmend të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare; qëllimi ynë janë zgjedhjet e rregullta në vitin 2028. Edhe pse politikisht është oportun që pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet lokale të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por nuk mendoj se kjo është një lëvizje shtetërore. Duhet t’i përkushtohemi reformave,” deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se Qeveria mbetet e fokusuar në proceset reformuese dhe në përmbushjen e agjendës ndërkombëtare.

“U ktheva me lajme të mira nga Brukseli, por do të doja që ato t’i kumtojë Komisioni Evropian. Ne tani jemi në fund të gjysmës së parë të mandatit tonë,” tha kryeministri.(INA)

Trending