Trendy

Kryeministri Mickoski pret ulje të çmimit të derivateve nga e hëna, sidomos benzinës!

Para 3 orë

Autoritetet paralajmërojnë ulje të çmimit të benzinës për 2 denarë, ndërsa çmimi i naftës pritet të mbetet i njëjtë, eventualisht të shtrenjtohet për gjysmë denari. Kryeministri Micksoki tha se ulja e TVSH-së po i jep rezultatet e dëshiruara.

“Me shumë kujdes e ndjekim gjendjen me çmimin e naftës  dhe derivatet e naftës në bursat botërore. Për ne bursë referente është baza në Itali…Mbi baza të përllogaritjeve tona nga java e kaluar, presim të hënën, që të kemi rreth 2 denarë ulje të çmimit për benzinën me 95 dhe 98 oktanë. Dhe çmim të njëjtë ose ndoshta për gjysmë denarë rritje të dizelit. Kështu që ulja e TVSH-së në mënyrë direkte implikon efekt pozitiv,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

I pyetur nëse qytetarët po i përdorin më pak makinat, respektivisht nëse po kursejnë për shkak të rritjes së çmimeve , Mickoski tha se konsumi është rritur.

“Jo nuk kemi ulje, përkundrazi, por ajo rritje nuk mund të them nëse qytetarët e kanë ulur përdorimin e makinave. sepse një pjesë e madhe e qytetarëve të vendeve të rajonit mbushin derivate te ne. Kjo rritje është e dukshme, tani mund të flasim madje për rritje prej 200 mijë litra në ditë, konsum më i lartë se ai që e kishim më herët. Sfida do të ketë por në këtë moment jemi në gjendje të qëndrueshme dhe nuk kemi nevojë për ndalesa apo kufizime,” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Çmimi i naftës për fuçi në bursat botërore ka arritur në 112 dollarë, ndërsa tek ne një litër naftë sipas çmimit të përcaktuar nga KRRE është 95,5, por për shkak të zbritjes së furnizuesit më të madh OKTA-s, në pikat e karburantit një litër naftë shitet për 92, 5 denarë, ndërsa çmimi i benzinës 84.5 dhe 86,5 varësisht prej sasisë së oktanit. /Alsat.mk

Trending