Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e VLEN-it Izet Mexhiti, ka komentuar anketën e fundit, që e rendit VLEN-in si forcën e parë politike te shqiptarët, duke theksuar se ky rezultat pasqyron qartë mbështetjen qytetare për modelin aktual të qeverisjes.
Sipas Mexhitit, përkrahja vjen si rezultat i një qeverisjeje “me duar të pastra”, luftës së pakompromis kundër korrupsionit, si dhe realizimit të investimeve kapitale dhe rehabilitimit të komunave.
Ai ka theksuar se qytetarët po i vlerësojnë rezultatet konkrete, duke përmendur rritjen e pensioneve, investimet në infrastrukturë, mbështetjen për mjekët, gjinekologët dhe stomatologët, si dhe ndërtimin e universiteteve, rrugëve dhe projekteve të tjera zhvillimore.
Mexhiti gjithashtu e cilësoi këtë sondazh si “demantin më të mirë” ndaj, siç u shpreh ai, fushatave kaotike dhe lajmeve të rreme të opozitës shqiptare, të cilat sipas tij synojnë të krijojnë pasiguri dhe paqartësi te qytetarët.
Në reagimin e tij, ai theksoi se mbështetja për VLEN është dëshmi se politikat e kësaj force janë në drejtimin e duhur dhe të pranueshme për qytetarët. Në fund, Mexhiti përcolli edhe një mesazh politik, duke theksuar se qytetarët shqiptarë kërkojnë bashkim dhe konsolidim të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik, me strukturë të fuqishme dhe zë të unifikuar. “Bashkimi VLEN!”, përfundoi ai reagimin e tij, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen.










