Trendy

KURTHI I MADH: “Zgjidhja” përmes ndryshimit të ligjit, në vend të zbatimit autentik të Ligjit për Gjuhët

Para 3 minuta

Nga Bujar Osmani

Studentët e drejtësisë me të drejtë kanë ngritur zërin kundër një ndalese absurde për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata nuk po mbrojnë vetëm një të drejtë procedurale. Ata po ekspozojnë një problem shumë më të madh: mungesën e vullnetit për zbatimin e ligjit.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë. Ai përcakton detyrimin që të gjitha ligjet e tjera të harmonizohen brenda 12 muajve me të. Nëse kjo nuk ndodh, prevalon Ligji për Gjuhët, i cili garanton përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në institucione.

Këtu nuk kemi krizë ligjore.
Kemi refuzim për zbatim.

Përpjekja për ta “zgjidhur” këtë çështje duke ndryshuar Ligjin për provimin e jurisprudencës është një kurth i rrezikshëm. Sepse në vend që të zbatohet një ligj që vlen për të gjitha institucionet, po krijohet një precedent ku çdo e drejtë duhet të negociohet veçmas, ligj pas ligji, rast pas rasti.

Kjo e fragmenton Ligjin për Gjuhët. E dobëson. E zbraz nga fuqia e tij universale.

Sot është provimi i jurisprudencës. Nesër do të jetë një procedurë tjetër. Pastaj një institucion tjetër. Dhe kështu, një ligj që duhet të zbatohet automatikisht në gjithë sistemin, kthehet në betejë të përditshme për çdo të drejtë elementare.

Padija dhe pafuqia e Vlen ka hapur rrugën për një standard të ri të rrezikshëm: që të drejtat të mos burojnë nga ligji, por të negociohen rast pas rasti.

Në këtë klimë, Kryeministri e çoi këtë logjikë në kulm. Në Parlament, ai foli si Kryeministër i vitit 1991, duke relativizuar statusin institucional të gjuhës shqipe dhe duke e shtyrë atë në sferën private. Ky është rezultati kur zbatimi i ligjit zëvendësohet me interpretim politik.

Prandaj, problemi nuk është një nen në një ligj. Problemi është tentimi për të zëvendësuar një rend juridik të qartë me improvizim.

Zgjidhja është e vetme: zbatim autentik i Ligjit për Gjuhët në të gjitha institucionet, pa përjashtime dhe pa negociata.

Çdo rrugë tjetër është kurth.

Dhe çdo “zgjidhje” që vjen përmes ndryshimit të ligjeve të veçanta, është në fakt hap drejt dobësimit të një prej arritjeve më të rëndësishme në këtë vend.

Studentët e kanë kuptuar këtë.

Nuk duhet të lejojmë që ky kurth të kalojë.

Trending