Mbi 40 tonë vezë të paetiketuara nga Serbia janë asgjësuar në deponinë Drisla, pasi u ndalua një tentativë për import të paligjshëm nga autoritetet.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AHV), në bashkëpunim me Administratën Doganore, zbuloi dy dërgesa me mbi 572 mijë vezë të fshehura në pikën kufitare Tabanoc.
Sipas autoriteteve, vezët synohej të etiketoheshin më pas dhe të shiteshin në mënyrë të rreme si produkte vendase.
AHV theksoi se me këtë aksion është parandaluar një mashtrim i madh dhe një rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Ndaj subjekteve të përfshira do të ndërmerren masa përkatëse dhe do të zhvillohen kontrolle shtesë për aktivitetin e tyre./TV21
Njoftimi i plotë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari
“Shërbimet inspektuese dhe Departamenti për ndjekjen e mashtrimeve me ushqim pranë Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), në bashkëpunim të koordinuar me Doganën, gjatë javës së kaluar kanë parandaluar me sukses një tentativë për import të paligjshëm të dy dërgesave me vezë të paetiketuara nga Republika e Serbisë.
Në bazë të informacioneve operative dhe një ndjekjeje profesionale disamujore të aktiviteteve të importuesve dhe eksportuesve vendas të vezëve, në pikën kufitare Tabanoc është realizuar një aksion, ku gjatë kontrollit të detajuar janë zbuluar mbi 572 mijë vezë të freskëta të paetiketuara, të fshehura pas paletave të para me mall të deklaruar në mënyrë të rregullt.
Në njërën dërgesë janë gjetur 270 mijë, ndërsa në tjetrën 302.400 vezë të paetiketuara. Sipas të dhënave të AUV-së, këto produkte është dashur të etiketoheshin më pas dhe të plasoheshin në mënyrë të rreme si produkte vendore, duke rrezikuar drejtpërdrejt reputacionin dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të vendosur të AUV-së, është parandaluar një mashtrim serioz dhe një rrezik potencial për konsumatorët. Sasia totale prej 40 tonë e 410 kilogramë vezë është shpallur e pasigurt dhe është asgjësuar në mënyrë të padëmshme në deponinë Drisla.
AUV edhe një herë konfirmon rolin e saj kyç në mbrojtjen e sigurisë ushqimore dhe interesave të qytetarëve dhe prodhuesve vendas, duke mbetur e përkushtuar në luftën pa kompromis kundër mashtrimeve me ushqim, përmes kontrolleve dhe aktiviteteve të shtuara në terren. Për subjektet e përfshira në këtë rast do të shqiptohen masa përkatëse, si dhe do të pasojnë kontrolle shtesë për veprimtarinë e tyre të deritanishme”.










