Qytetarët po e presin me vëmendje vendimin e nesërm të Komisionit Rregullator për Energjetikë, nga i cili pritet të bëhet e qartë nëse më në fund do të ketë lehtësim të çmimeve të karburanteve. Sipas paralajmërimeve, pritet ulje e çmimeve të benzinës, ndërsa nafta mund të mbetet e njëjtë ose të shënojë një rritje minimale, përcjell tetova1
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që benzina të lirohet për rreth dy denarë, ndërsa nafta të mbetet në të njëjtin nivel ose të shtrenjtohet për rreth gjysmë denari. Ai theksoi se ulja e TVSH-së nga Ministria e Financave tashmë ka efekt pozitiv direkt në çmime, por shtoi se situata po monitorohet vazhdimisht dhe për momentin nuk ka nevojë për kufizime apo ndalime, pasi ka sasi të mjaftueshme të karburanteve.
Ndërkohë, konsumi në zonat kufitare të vendit është rritur për rreth 200 mijë litra në ditë, duke ndikuar shtesë në treg.
Që nga fillimi i konfliktit në muajin shkurt, çmimet e karburanteve janë rritur për rreth 23 për qind. Një pjesë e kostove ende nuk është reflektuar plotësisht te konsumatorët, ndërsa pikat e karburanteve po e shfrytëzojnë rënien në bursat ndërkombëtare për të kompensuar humbjet e mëparshme.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Rregullator, çmimet aktuale janë: eurosuper 95 – 86,5 denarë për litër, eurosuper 98 – 88,5 denarë, eurodizel – 95,5 denarë, vaj ekstra i lehtë – 92 denarë për litër, ndërsa mazuti kushton 51,073 denarë për kilogram.
Opozita ka kritikuar ashpër masat e qeverisë, duke i cilësuar si të vonuara dhe të paplota. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, theksoi se Maqedonia është i vetmi vend në rajon ku po ndërmerren masa, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten. Ai paralajmëroi se shtrenjtimi tashmë po reflektohet edhe te ushqimet, ku produktet bazë janë rritur nga 10 deri në 30 për qind.
Mickoski u përgjigj se disa nga trendet negative ekonomike, si rënia e lehtë e prodhimit industrial, janë pasojë e protestave të transportuesve, por pret stabilizim në periudhën në vijim. Sipas tij, sektorë të tjerë si turizmi dhe ndërtimtaria janë në rritje.
Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht rënies aktuale të çmimit të naftës në tregjet botërore, ulja reale e çmimeve në pikat e karburanteve mund të ndihet vetëm në muajin prill, kur të shpenzohen rezervat e shtrenjta dhe tregu të reagojë ndaj një stabilizimi të mundshëm në Lindjen e Mesme.
Në rajon, vendet tashmë kanë ndërmarrë masa të ndryshme. Në Serbi ka kufizim javor të çmimeve, ku nafta arrin rreth 112 denarë, ndërsa benzina rreth 99 denarë. Në Bosnje dhe Herzegovinë marzhat janë të kufizuara, por kontrolli është i dobët dhe çmimet luhaten ndjeshëm.
Sllovenia ka vendosur kufizim të sasisë së karburantit që mund të blihet – deri në 50 litra në ditë për qytetarët dhe deri në 200 litra për kompani dhe bujq, për shkak të presionit nga shoferët e huaj. Ndërsa Kroacia ka ngrirë çmimet e energjisë elektrike dhe gazit deri në shtator 2026.
Në Mal të Zi çmimet gjithashtu janë në rritje – eurosuper 95 ka arritur në 1,52 euro për litër, ndërsa nafta rreth 1,57 euro për litër.
Situata në treg mbetet e paqartë dhe qytetarët do të vazhdojnë të përballen me pasojat e tensioneve globale gjeopolitike, deri në stabilizimin e furnizimit dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare./tetova1.mk










