Prokuroria Speciale ka njoftuar se është duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtij hetimi është intervistuar Shkëlzen Gashi, i cili dyshohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Po ashtu, hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda kanë realizuar edhe një urdhër kontrolli në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit të provave që lidhen me rastin.
Reagimet kundër ekspozitës për masakrat e luftës në Kosovë, me autor Shkëlzen Gashin, që shkaktuan indinjatë të thellë publike si pasojë e pasaktësive në pasqyrimin e Masakrave në Kosovë, u thelluan edhe më tej gjatë ditës, duke përfshirë protesta të veteranëve, qëndrime të institucioneve dhe akuza nga spektri politik.
Kryeministri Albin Kurti pranoi publikisht se përmbajtja e ekspozitës kishte lëshime që duhet të korrigjohen. Në një konferencë për media, ai tha se në disa raste kanë munguar masakra të caktuara, ndërsa në pjesë të tjera “ka pasur gabime në tekst që duhet të përmirësohen”.
Edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla reagoi për këtë çështje, duke vënë theksin te nevoja për saktësi në trajtimin institucional të të dhënave. Ajo deklaroi se “Nëse asgjë, të paktën një gjë ka arritur… të na ndërgjegjësojë se sa të nevojshme janë shifrat zyrtare”, ndërsa shtoi se “shifrat zyrtare nuk mund të jenë arbitrare apo të shpikura”.
Në anën tjetër, opozita e ka konsideruar skandalin me ekspozitën si manipulim të qëllimshëm. Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, tha se mënyra si është paraqitur dhe miratuar kjo ekspozitë ngre dyshime serioze. “Këtu ka një manipulim të qëllimshëm”, deklaroi ajo, duke kërkuar hetim të veçantë për rastin.
Çitaku tha se materiali që është miratuar institucionalisht nuk përputhet me atë që është shfaqur në shesh. “Ajo që kemi miratuar ne, nuk reflekton me atë që kemi parë në shesh”, theksoi ajo. Sipas saj, në dokumentet shoqëruese nuk përmendej emri i autorit dhe as lidhja e ekspozitës me librin e tij. “Askund nuk është theksuar emri i Shkëlzen Gashit”, deklaroi ajo, duke e cilësuar këtë si shmangie serioze.
Reagimet u shoqëruan sot edhe me protesta nga organizatat e dala nga lufta. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur indijatën e tyre me pasaktësitë në pasqyrimin e masakrave.
Me pankarta ku shkruhej “Mos luani me sakrificën tonë” dhe “Stop shtrembërimit të Historisë”, protestuesit shfaqën revoltën e tyre, ndërsa protesta mori edhe një formë simbolike kur para hyrjes së Kuvendit u hodh ngjyrë.
Nga radhët e OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari ngriti akuza të rënda për burimin e materialeve të përdorura. “Dyshimet tona janë se informacionet janë marrë nga shërbimet sekrete serbe”, deklaroi ai. Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të “barazuar luftën tonë me atë që ka bërë ushtria serbe”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur më herët se përmbajtja e ekspozitës do të shqyrtohet për të parë nëse përmban elemente të mundshme penale.











