Uashingtoni vendos kushte, ndërsa sulmet në Gjirin Persik vijojnë…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani ka kërkuar armëpushim nga Uashingtoni.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se presidenti i “regjimit tër të Iranit” ka kërkuar ndalimin e luftimeve, duke e cilësuar atë si më pak të radikalizuar dhe më të moderuar krahasuar me paraardhësit.
“Presidenti i regjimit të ri të Iranit, shumë më pak i radikalizuar dhe shumë më i zgjuar se paraardhësit e tij, sapo kërkoi armëpushim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai.
Trump theksoi se SHBA do ta shqyrtojë kërkesën vetëm pasi Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur, e lirë dhe e sigurt për lundrim. Deri atëherë, sipas tij, operacionet ushtarake ndaj Iranit do të vazhdojnë.
“Ne do ta shqyrtojmë atë kur Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur, e lirë dhe pa pengesa. Deri atëherë, ne do ta shkatërrojmë plotësisht Iranin ose, siç thonë ata, do ta kthejmë atë në Epokën e Gurit“, theksoi presidenti i SHBA-së.
Nuk dihet se për kë “president të ri” e ka pasur fjalën Trump, por deklarata e tij vjen një ditë pasi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, u shpreh se vendi i tij është i gatshëm të përfundojë konfliktin, por vetëm nëse sigurohen garanci konkrete për të shmangur përsëritjen e sulmeve.
Sipas mediave ndërkombëtare, Pezeshkian i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke theksuar se Irani është i gatshëm të ndalë përshkallëzimin nëse plotësohen kushtet e nevojshme.
Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar dhe sulmet po vijojnë. Autoritetet në Katar njoftuan se tre raketa u lëshuan nga Irani, ku dy u interceptuan, ndërsa një goditi një anije cisternë të lidhur me QatarEnergy, pa shkaktuar viktima.
Në Kuvajt, dronë goditën depo karburanti në aeroportin ndërkombëtar, duke shkaktuar zjarr dhe dëme në infrastrukturë kritike.
Incidente u raportuan edhe në Bahrein dhe në objekte të tjera energjetike në rajon. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbetje nga një dron i rrëzuar shkaktuan vdekjen e një qytetari nga Bangladeshi.
Arabia Saudite njoftoi se ka interceptuar dy dronë, ndërsa vendet e rajonit kanë rritur masat e sigurisë për mbrojtjen e infrastrukturës strategjike.










