Nga Bahri Cani
Kancelari Merz ka deklaruar se me kërkesën e kreut të ri sirian Al Sharaa duhet të largohen nga Gjermania rreth 80% e sirianëve të ardhur në kohën e luftës brenda tre vitesh. Kjo do të thotë se nga Gjermania duhet të largohen rreth 800.000 sirianë, sepse këtu kanë ardhur rreth një milion.
Tani Merz po përballet me kritika të hapura për këtë deklaratë të “pamatur” se 80 përqind e sirianëve në Gjermani duhet të kthehen në atdheun e tyre. Nga partia SPD thonë se ky synim është “një ide jo e mençur”, ndërsa të tjerë e quajnë madje edhe “të turpshme”. Këto kritika bazohen tek fakti që shumë sirianë ndërkohë janë integruar mirë në Gjermani, ndërkohë që një numër i madh i tyre nuk duan të kthehen.
“Nuk është një ide e mençur që Kancelari t’i paraqesë shifra specifike për afate kohore specifike, sepse kjo ngre pritje që ai mund të mos jetë në gjendje t’i përmbushë”, tha Zëvendëskryetarja e SPD-së, Anke Rehlinger.
E ky është një problem serioz, sepse shansat për kthimin e një numri kaq të madh të njerëzve nuk vlerësohen si reale, ndërkohë që hapet hapësirë për kritika të mëvonshme të hapura nga krahu i djathtë radikal.
Merz deklaroi se 80 përqind e sirianëve duhet të kthehen në atdheun e tyre brenda tre viteve të ardhshme. Është kjo reale, pyesin shumë komentatorë.










