Trendy

Kryeministri i Polonisë: Kërcënimi i Trump për shpërbërjen e NATO-s, plani që ëndërron Putin

Para 4 orë

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka paralajmëruar se kërcënimet e përsëritura të Donald Trump për shpërbërjen e NATO-s, perspektiva e një krize “masive” energjetike në Evropë, si dhe lëvizjet e Viktor Orbán për të bllokuar ndihmën dhe fondet për Ukrainën, të gjitha duken si “plani ëndërr i Putinit.”

“Kërcënimi i shpërbërjes së NATO-s, lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë, një krizë masive energjetike në Evropë, ndalimi i ndihmës për Ukrainën dhe bllokimi i huas për Kievin nga Orbán, të gjitha duken si plani ëndërr i Putinit.”, shkruan Tusk në një postimnë rrjetet sociale në anglisht.

Në fillim të kësaj jave, Tusk kritikoi ashpër Viktor Orbán dhe ministrin e tij të Jashtëm, Péter Szijjártó, pas raporteve të mediave që aludonin për marrëdhënie të ngushta të qeverisë hungareze me Rusinë.

Presidenti Donald Trump thotë se po e shqyrton seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO

Ju rikujtojmë se presidenti i SHBA, Donald Trump duke folur për gazetën britanike The Telegraph, ka kërcënuar se mund të largohet nga NATO.

“Oh po, do të thosha se është përtej rishqyrtimit,” tha ai. “Unë kurrë nuk u binda nga NATO. Gjithmonë e dija që ata ishin një tigër prej letre, edhe Putini e di këtë, meqë ra fjala.”

Trump ka kritikuar shpesh aleatët e NATO-s për mungesën e mbështetjes në luftë, duke i quajtur “frikacakë” për refuzimin e tyre për të dërguar trupa në Ngushticën e Hormuzit.

Ai i përsëriti këto ankesa për The Telegraph, duke pretenduar se mbështetja “duhet të jetë automatike” dhe duke bërë një krahasim mes luftës kundër Iranit dhe luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Trending