Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk dihet ende se kur do të miratohet, as njëri nga krerët e VLEN-it, Bilall Kasami nuk e di se kur pritet që kjo të ndodhë, raporton Portalb.mk.
I pyetur nga Portalb.mk për zvarritjet e këtij ligji edhe përkundër dritës jeshile nga Komisioni i Venedikut, Kasami tha se po punohet për zgjidhje të qëndrueshme, por pa dhënë afat konkret.
“Sepse përvoja me Gjykatën Kushtetuese dhe kontestimin e të njëjtave na bën të jemi më të kujdesshëm. Konform edhe sugjerimeve të Komisionit të Venedikut do të formohet edhe drafti i Ligjit dhe i njëjti do çohet në procedurë. Aty konform vërejtjeve të tyre do duhet përpunim, sepse komisioni nuk kishte vërejtje substanciale por me gjithë ato vërejtje do duhet edhe formati të jetë konform sugjerimeve të komisionit”, thaKasami.
Në ndërkohë, ish zëvendësministrja e Mbrojtjes dhe kryetarja e Asamblesë së Gruas e Aleancës për Shqiptarët krahu i Taravarit, Elfete Ismaili, ka reaguar lidhur me, përjashtimin e vazhdueshëm të Shqiptarëve nga përfaqësimi në institucionet e sigurisë në Maqedonisë së Veriut. Ajo theksoi se në zhvillimet e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes vërehet mungesë e dukshme e përfaqësimit shqiptar. Sipas saj, në kursin e fundit për oficerë janë përzgjedhur 16 kandidatë, të gjithë të përkatësisë maqedonase, pa asnjë shqiptar.
Ismaili ngriti shqetësim edhe për përfaqësimin në misionet diplomatike ushtarake, duke theksuar se në selinë e NATO në Bruksel nuk ka përfaqësues shqiptar. Sipas saj, edhe në Berlin dhe Ankara, atashe ushtarakë shqiptarë janë zëvendësuar me përfaqësues të nacionaliteteve të tjera.
“Në kursin për oficer para 1 muaji e ca, janë përzgjedhur 16 kandidatë të gjithë Maqedonas, pa asnjë përfaqësues Shqiptar. Në misionet diplomatike, e njëjta logjikë përjashtuese po vazhdon: në Bruksel-NATO asnjë Shqiptarë, në Berlin një atashe Shqiptar zëvendësohet me një Maqedonas; në Ankara një tjetër Shqiptar zëvendësohet dhe vendin e tij e merr përfaqësues nga një nacionalitet tjetër. Kjo nuk është rastësi kjo është një qasje sistematike që po vazhdon. Kjo nuk është çështje e “meritës”, siç mund të tentohet të paraqitet. Është çështje e balancës, e drejtësisë dhe e respektimit të një realiteti multietnik që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet”, thuhet në reagim.
Derisa publiku mbi dy vite pret miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e ka me të ngutur këtë çështje, as kryeministri i vendit nuk dha afat, por vazhdoi të premtojë se ky ligj do të sillet.
“Ligjin për përfaqësim të drejtë pres ta sjellim së shpejti para deputetëve, pasi ka kaluar të gjitha filtrat, përfshirë edhe atë të Komisionit të Venecias. Me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ai do të miratohet në Parlament, do të kalojë në Qeveri dhe shpresoj që do ta mbështesni”, tha para pak ditëve kryeministri Hristijan Mickoski.
Portalb.mk kërkoi nga kabineti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetait, se kur konkretisht Qeveria do ta dorëzojë këtë ligj në Kuvend, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Që nga shfuqizimi i “balancuesit”, ligji ec me këmbë të breshkës
Ndonëse ka kaluar gati katër muaj që kur ky ligj u shqyrtua në seancë plenare të Komisionit të Venedikut, në Shkup nuk ka pasur ndonjë lëvizje.
Ky ligj u dorëzua në Komisionin e Venedikut për mendim vitin e kaluar, ndërsa në fillim të muajit dhjetor, në seancë plenare u shqyrtua dhe mori vlerësim pozitiv.
Paraprakisht, në fillim të shtatorit 2025, delegacioni i Komisionit të Venedikut erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së.
Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.
Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.
Punësimet e reja pritet të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.
Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.
Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare në Kuvend, konkretisht BDI-së, nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.










