Trendy

Shabani i përgjigjet Ismailit: Akuza pa kredibilitet, përgjegjësia ka emër dhe mbiemër

Para 4 orë

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-zëvendësministres Elfete Ismaili, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe pa kredibilitet moral.

Sipas Shabanit, konkursi për oficerë për të cilin po bëhen akuza është shpallur pikërisht në periudhën kur Ismaili ishte në detyrë, ndërsa atëherë, siç thekson ai, nuk ka pasur as reagim dhe as përpjekje për të inkurajuar aplikimin e shqiptarëve.

Ai ka bërë të ditur se nga 131 aplikues në këtë konkurs, vetëm 11 kanë qenë shqiptarë, prej të cilëve janë pranuar dy, ndërsa një është tërhequr vetë. Të tjerët, sipas tij, nuk i kanë përmbushur kriteret, duke shtuar se institucionet nuk mund të ulin standardet për arsye politike.

Sa i përket përzgjedhjes së atasheve, Shabani thekson se bëhet fjalë për një periudhë kur pozita e zëvendësministrit ka qenë e zbrazët, duke akuzuar se ata që sot ankohen, më herët nuk kanë qenë funksionalë.

Ai nënvizon se aktualisht situata është ndryshe, duke bërë të ditur se nga 16 shpallje për atashe, tetë tashmë janë përzgjedhur, përfshirë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, ndërsa tetë të tjera do të rishpallen për shkak të konkurrencës së dobët.

Në reagimin e tij, Shabani thekson se Ministria po hap konkurs për 300 ushtarë të rinj dhe po krijon mundësi për avancim profesional dhe edukim shtesë, duke insistuar në një sistem që bazohet në meritë, por që respekton edhe përfaqësimin e drejtë.

“Koha e alibive ka përfunduar. Tani është koha e rezultateve”, ka theksuar ai, duke shtuar se përgjegjësia për situatat e krijuara nuk fillon sot, por ka, siç u shpreh, “emër dhe mbiemër”.

Trending