Komuna e Tetovës ka nisur realizimin e një projekti të shumëpritur infrastrukturor. Me iniciativë të kryetarit Bilall Kasami, kanë filluar punimet për ndërtimin e qarkores mbi fshatin Shipkovicë, që është hapi i parë drejt rrugës Tetovë–Prizren. Projekti synon përmirësimin e lidhjes ndërmjet Tetovë dhe Prizren dhe konsiderohet me rëndësi të veçantë për zhvillimin rajonal.
Atë që nuk e realizuan me vite as qeveritë e mëparshme dhe as ajo aktuale, po e nis Komuna e Tetovës. Me iniciativë të komunës dhe në krye me kryetarin Bilall Kasami, janë ndarë mjete për ndërtimin e qarkores mbi fshatin Shipkovicë, që konsiderohet hapi i parë drejt realizimit të rrugës Tetovë–Prizren. Kasami njoftoi se tashmë është përzgjedhur operatori dhe kanë nisur punimet në terren.
“Bëhet fjalë për një projekt që është pjesë e segmentit të rrugës Tetovë–Prizren, konkretisht qarkorja mbi fshatin Shipkovicë, për të cilën Komuna e Tetovës ka ndarë mjete. Në bazë të procedurave të tenderimit është përzgjedhur operatori që do të bëjë depërtimin, punët përgatitore dhe projektimin e rrugës. Kjo është pjesë e segmentit Tetovë–Prizren.”
Sipas Kasamit, segmenti i parë i rrugës Tetovë–Prizren do të lidhet me rrugën rajonale Tetovë–Kodra e Diellit. Do të ndërtohet qarkorja mbi Shipkovicë deri në dalje të fshatit, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzojë trasenë ekzistuese, me ndërhyrje për zgjerim.
“Segmenti do të fillojë nga rruga Tetovë–Kodra e Diellit, në kthesën mbi Shipkovicë dhe do të vazhdojë deri në dalje të fshatit, tek ura mbi lumë. Pjesa tjetër e rrugës Tetovë–Prizren do të jetë në trasenë ekzistuese, por do të nevojitet zgjerim. Sipas informatave nga terreni, tashmë është bërë identifikimi i trasesë dhe do të vazhdojnë punimet për depërtimin e rrugës.”
Ndërkohë, në pjesën e Kosovës punimet për rrugën Tetovë–Prizren tashmë kanë nisur. Qeveria e Kosovës deri më tani ka ndarë rreth 2 milionë euro për projektin. Projekti parasheh edhe ndërtimin e një tuneli rreth 6.4 kilometra, i cili pritet të realizohet me bashkëfinancim nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës. Kostoja totale e projektit vlerësohet rreth 200 milionë euro.










