Trendy

Kur ndihma sociale përfundon në bixhoz

Para 3 javë

Interesimi për të provuar fatin në objektet e lojërave të fatit në Dibër vazhdon të jetë në rritje. Bastoret janë përplot me lojtarë dhe bie në sy pjesëmarrja në këto lojëra e shumë dibranëve, familjarët e të cilëve mbijetojnë me ndihma sociale që i jep shteti, shkruan gazeta KOHA. Dukuria është shqetësuese dhe po merr përmasa masive, prandaj edhe iniciativat e sektorit civil për kontroll më të rreptë nga shteti për pagesën e ndihmave sociale, si dhe për pjesëmarrjen e përfituesve të tyre nëpër bastore, kanë një bazë të fortë.

Shoqatat civile me të drejtë kërkojnë që institucionet kompetente ta ndjekin problemin dhe të intervenojnë me masa adekuate, me qëllim që kjo kategori e qytetarëve që merr ndihma sociale të mos jetë pjesëmarrëse në lojërat e fatit. Për masivitetin e pjesëmarrësve në lojërat e bixhozit flet edhe fakti se në Dibër, me mbi 10 mijë banorë, ka mbi 10 bastore.

Duke marrë parasysh faktin se mes atyre që mbushin bastoret ka edhe shumë kryefamiljarë që marrin ndihma sociale, shoqata “Porosia” me seli në Dibër ka kërkuar publikisht të ketë një kontroll rigoroz se kush merr pjesë në lojërat e fatit.

Kryetari i shoqatës “Porosia”, Bekim Ame, thotë se Qendra për Punë Sociale në Dibër duhet të regjistrojë kryefamiljarët që marrin ndihma sociale dhe më pas pagesat e kësaj ndihme t’u bëhen vetëm bashkëshorteve të tyre. “Të mos kenë të drejtë ata bashkëshortë që marrin ndihma sociale që këto para t’i harxhojnë në bastore, por pagesa t’u bëhet nënave, respektivisht bashkëshorteve, meqë kryefamiljarët i harxhojnë nëpër bastore. Ka shumë shembuj të këtillë që marrin ndihmat sociale dhe po të njëjtën ditë i lënë në bastore. Kjo dukuri duhet të ndërpritet, sepse më pas anëtarët e familjeve mbeten shpesh edhe pa bukë”, thotë për gazetën KOHA kryetari i shoqatës, Bekim Ame.

Ai shton se institucionet kompetente kanë nevojë të kontrollojnë bastoret dhe të regjistrojnë lojtarët nga kategoria e atyre që jetojnë me ndihma sociale. Sipas tij, kontroll kërkohet edhe për fëmijët që marrin pjesë në lojërat e fatit. Këto propozime kanë marrë përkrahje të madhe nga qytetarët e Dibrës. Pikërisht nga keqpërdorimi i parave të ndihmave sociale, por edhe të ndihmave të tjera, shumë familje në nevojë që jetojnë me ndihma sociale shpesh ballafaqohen me varfëri ekstreme, dhunë në familje, por edhe me divorce.

“Kam burrin që përdor alkool, por edhe luan nëpër bastore. Kam kërkuar nga kompetentët që paratë, respektivisht pagesën nga banka, ta marr vetëm unë”, thotë një nënë me tre fëmijë, B.N.

Banori i Dibrës, N.S., thotë se kontrolli për ata që marrin ndihma sociale dhe që merren me bixhoz duhet të jetë rigoroz. Sipas tij, pikërisht në këto raste fëmijët vuajnë shpesh edhe për bukë, ndërsa një situatë e tillë i detyron disa prej tyre të merren me vjedhje, të bëhen lypës apo të përfshihen në aktivitete të tjera që dëmtojnë zhvillimin e tyre moral.

Në bisedat që zhvilluam me disa të punësuar në bastoret e Dibrës, ata na informuan se në çdo bastore ka lojtarë që jetojnë me ndihma sociale, ndërsa sipas burimeve të njëjta pjesëmarrja e tyre është në rritje. (koha.mk)

Trending