Trendy

Ismaili: Shqiptarët jashtë institucioneve të sigurisë! Ministria e Mbrojtjes: Kandidatët nuk i plotësuan kriteret

Para 3 orë

Ish-zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, ngriti shqetësimin për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut. Ajo thekson se në kursin e fundit për oficerë janë përzgjedhur 16 kandidatë, të gjithë maqedonas, asnjë shqiptar.

“Në kursin për oficer para 1 muaji e ca, janë përzgjedhur 16 kandidatë të gjithë maqedonas, pa asnjë përfaqësues shqiptar. Në misionet diplomatike, e njëjta logjikë përjashtuese po vazhdon: në Bruksel-NATO asnjë shqiptarë, në Berlin një atashe shqiptar zëvendësohet me një Maqedonas; në Ankara një tjetër shqiptar zëvendësohet dhe vendin e tij e merr përfaqësues nga një nacionalitet tjetër”, u shpreh Elfete Ismaili – ish-zëvendësministre e Mbrojtjes.

Për këtë pyetëm në Ministrinë e Mbrojtjes, nga ku u përgjigjën:

“Nga gjithsej 131 qytetarë të paraqitur në konkurs, 11 ishin të përkatësisë etnike shqiptare, prej të cilëve dy janë pranuar (ndërkohë njëri prej tyre është tërhequr me vetëdëshirë), ndërsa të tjerët nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në shpallje. Gjithashtu theksojmë se për disa nga shërbimet e përmendura në konkurs nuk ka pasur asnjë kandidat të paraqitur”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Nga ministria sigurojnë se gjatë pranimit të kandidatëve në çdo shpallje të Ministrisë, respektohen plotësisht kriteret e parapara dhe të përcaktuara saktësisht. Nga këto kritere, për shkak të nevojës për plotësim me kuadër adekuat, arsyeja për të cilën edhe ekzistojnë rregulloret, Ministria nuk bën asnjë përjashtim.

Trending