Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se Tetova ka qenë nikoqire e takimit të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ku morën pjesë përfaqësues nga hapësira shqipfolëse e Ballkanit Perëndimor, përcjell tetova1
Sipas tij, ky takim reflekton rritjen dhe konsolidimin e Unionit, i cili tashmë përfaqëson një numër të konsiderueshëm qytetesh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe komunat arbëreshe në Itali.
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të këtij unioni janë zhvilluar diskutime të rëndësishme në kuadër të forumit të përhershëm të shoqatës, ku janë trajtuar prioritetet për vitin 2026, si dhe Strategjia afatmesme për periudhën 2027–2028.
Në fokus të veçantë, sipas Kasamit, ka qenë forcimi i bashkëpunimit rajonal në disa fusha kyçe, përfshirë afrimin e qyteteve me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, rritjen e kapaciteteve për tërheqjen e fondeve dhe realizimin e projekteve ndërkufitare të financuara nga BE, si dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Njoftimi i plotë:
“Tetoves, nikoqire e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon!
Takimi mblodhi përfaqësues nga komunat anëtare të hapësirës shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar rritjen dhe konsolidimin e Unionit, i cili sot përfaqëson një numër të konsiderueshëm qytetesh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe komunat arbëreshe në Itali.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të UBSHR-së u zhvilluan diskutime frytdhënëse në kuadër të Forumit të përhershëm të shoqatës, ku u trajtuan prioritetet e punës përvitin 2026, si dhe Strategjia afat-mesme 2027–2028.
Në fokus të veçantë ishte rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal në fusha prioritare, si përafrimi i qyteteve të rajonit me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, rritja e kapaciteteve për tërheqjen e fondeve dhe implementimin e projekteve ndërkufitare të financuara nga BE, si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, zhvillimi i turizmit dhe zhvillimi i qëndrueshëm!”, përfundon Kasami./tetova1.mk






