Bashkimi Evropian po shqyrton të gjitha opsionet për të përballuar një krizë të zgjatur energjetike, përfshirë mundësinë e racionimit të karburantit dhe lirimin e mëtejshëm të rezervave strategjike të naftës. Këtë e bëri të ditur komisioneri evropian për energjinë, Dan Jorgensen, në një intervistë për Financial Times.
Sipas tij, lufta në Lindjen e Mesme po shkakton tronditje afatgjata në tregjet globale të energjisë. “Kjo është një krizë e gjatë dhe çmimet e energjisë do të mbeten të larta për një kohë shumë të gjatë”, deklaroi Jorgensen, duke shtuar se për disa produkte kritike situata pritet të përkeqësohet në javët në vijim.
Mbyllja pothuajse e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik kanë rritur ndjeshëm çmimet dhe kanë shtuar shqetësimet për mungesa afatgjata. Sektori i aviacionit është ndër më të prekurit, me kompani ajrore që shprehin shqetësim për furnizimet me karburant.
Jorgensen theksoi se, megjithëse Bashkimi Evropian nuk ndodhet ende në një krizë të drejtpërdrejtë të furnizimit, institucionet evropiane po përgatisin plane për të përballuar pasojat strukturore dhe afatgjata të konfliktit. Ai nënvizoi rëndësinë e përgatitjes për skenarët më të këqij, edhe pse aktualisht nuk është marrë vendim për racionimin e produkteve si karburanti i avionëve apo nafta.
“Nuk jemi ende në pikën ku kemi ndryshuar rregullat ekzistuese, por po shqyrtojmë të gjitha mundësitë”, u shpreh ai, duke shtuar se përdorimi i mjeteve legjislative do të varet nga përshkallëzimi i situatës.
Komisioneri nuk përjashtoi mundësinë e një lirimi të ri të rezervave strategjike të energjisë, nëse kriza thellohet. Muajin e kaluar, vendet anëtare të BE-së ndërmorën lirimin më të madh të rezervave të naftës në histori, me qëllim frenimin e rritjes së çmimeve.
Ai theksoi se çdo ndërhyrje duhet të jetë në kohën e duhur dhe proporcionale, duke mbajtur të hapura të gjitha opsionet për një krizë që pritet të zgjasë.
Në fund, Jorgensen konfirmoi se nuk ka plane për ndryshime në legjislacionin aktual lidhur me importet e gazit natyror të lëngshëm nga Rusia, duke theksuar se furnizimi nga SHBA-ja dhe partnerë të tjerë mbetet një alternativë e pranueshme në kuadër të tregut të lirë.










