Trendy

Vjosa Osmani përcillet denjësisht teksa lë zyrën e Presidencës pas përfundimit të mandatit

Para 2 javë

Pas pesë vitesh në krye të shtetit, Vjosa Osmani është larguar nga ndërtesa e Presidencës së Republikës së Kosovës, duke u përcjellë me ceremoni dhe përshëndetje nga stafi me të cilin bashkëpunoi gjatë mandatit të saj, shkruan tetova1

Ajo dorëzoi detyrën tek kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga sot merr rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes. Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në ambientet e Presidencës, ku Osmani mbajti edhe fjalimin e saj përmbyllës.

Pas përfundimit të ceremonisë, Osmani u largua nga objekti i Presidencës me veturën që dikur ishte përdorur nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, duke simbolizuar një moment të veçantë institucional.

Në adresimin e saj të fundit si presidente, Osmani falënderoi qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë mandatit të saj.

Ajo theksoi se shërbimi ndaj Republikës është nderi më i madh, ndërsa besimi i qytetarëve mbetet përgjegjësia më e rëndësishme. Osmani nënvizoi se gjatë gjithë mandatit është udhëhequr nga parimet e integritetit, mbrojtjes së shtetit dhe respektimit të vullnetit qytetar.

Duke rikujtuar sfidat e pesë viteve të fundit, ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit, forcimit të institucioneve demokratike dhe thellimit të aleancave me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane.

Osmani përfundoi fjalimin e saj me mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve, duke theksuar se besimi i tyre ka qenë udhërrëfyesi kryesor gjatë ushtrimit të detyrës së saj si presidente e vendit./tetova1.mk

 

Trending