Trendy

Rritje e inflacionit dhe ngadalësim i rritjes ekonomike pritet ta karakterizojnë vendin

Para 7 orë

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon inflacion më të lartë dhe rritje më të ngadalësuar të ekonomisë në vend për këtë vit. Sipas vlerësimeve të tyre, rritja e Produktit Bruto Vendor (PBV-së) do të ngadalësohet në 3,1%, krahasuar me 3,8% të planifikuara fillimisht. Në të njëjtën kohë, çmimet më të larta të naftës pritet ta rrisin inflacionin në rreth 4,5%, dukshëm mbi projeksionin e Qeverisë prej afërsisht 2,5%.

“Konflikti i zgjatur në Lindjen e Mesme dhe çmimet më të larta të energjisë, së bashku me rritjen më të dobët në BE, mund të ngadalësojnë më tej aktivitetin ekonomik, të mbajnë inflacionin më të lartë për një periudhë më të gjatë dhe të shtyjnë konsolidimin fiskal. Devijimet fiskale, veçanërisht nga rritjet “ad hoc” të pagave dhe pensioneve si dhe tejkalimet e shpenzimeve në projektet e mëdha infrastrukturore, mund të pengojnë konsolidimin fiskal dhe të dëmtojnë besimin e tregut“, thanë nga FMN.

 Konflikti në Lindjen e Mesme dhe çmimet e larta të energjisë mund të ngadalësojnë aktivitetin ekonomik
• Inflacioni mund të mbetet i lartë për një periudhë më të gjatë

„Sa i përket periudhës 6 deri në 12 muaj, mendoj se nëse kjo krizë globale vazhdon, çdo sferë socio-ekonomike në këtë shtet do të pësojë pasoja serioze. Mënyra e vetme për ta tejkaluar këtë gjendje është që shteti, së bashku me Odat Ekonomike dhe sindikatat, të ulen dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët për rritjen sa më të shpejtë të pagave. Përndryshe, me këto paga ekzistuese, qytetarët do ta kenë të vështirë të sigurojnë mbijetesën e tyre në këtë vend“, deklaroi Faton Halili, Ekonomist.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbështetja për familjet si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve duhet të jetë mirë e targetuar. Ata vlerësojnë se subvencionet për të gjitha kategoritë, përfshirë uljet e taksave, janë joefikase dhe regresive. Apelojnë që ulja e përkohshme e TVSH-së të hiqet, ndërsa familjet më të cenueshme të mbështeten përmes skemave ekzistuese të ndihmës sociale./Alsat.mk.

Trending